“Amaneti” i Maradonës





Disa “çifte” janë projektuar të jenë bashkë dhe askush më shumë se Diego Armando Maradona dhe Napoli.
Një marrëdhënie që i kishte të gjitha. Emocion, ndjenja të forta, përkushtim, besim, shpresë dhe trofe. Kishte shumë ngritje të lumtura, por edhe disa ulje shqetësuese, por kurrë kjo marrëdhënie nuk u lëkund dhe as sot, askush nuk guxon ta shemb, shkruan Supersport.al.

Ishte 5 korriku i vitit 1984 kur Diego Armando Maradona zbarkoi në Itali, në Napoli dhe të gjithë ishin të bindur se, “shpëtimtari tashmë kishte ardhur”.
Ai ndryshoi shumë gjëra aty, aq sa në javën e fundit të sezonit 1986-1987, pak ditë përpara “Scudetto-s” së parë, në Napoli, njerëzit ndryshuan shumë, madje edhe lutjet, duke e kthyer Maradonën në një ikonë.

“Maradona ynë, ne kemi shenjtëruar emrin tënd. Mbretëria jote është Napoli, mos na zhgënje, por na ço drejt titullit kampion, Amen” – ishte lutja e çdo personi në Napoli.
Në historinë 96-vjeçare të klubit, Napoli ka koleksionuar 11 trofe dhe pesë prej tyre në epokën e artë të Diego Armando Maradonës.
Fakti se, deri në momentin kur Napoli triumfoi në Itali, në sezonin 1986-1987 asnjë skuadër nga jugu nuk kishte fituar titullin kampion.

Kujtimet ndoshta nuk janë të freskëta, por janë aty, të ngulitura në memorien e çdo napolitani, ndërsa në këtë edicion, Napoli kërkon të përmbushë… “amanetin” e Maradonës.
Kanë kaluar 33 vite nga titulli i fundit kampion, sot, Napoli është skuadra që po “marshon” në Itali dhe pas 12 javësh është e vetmja skuadër pa asnjë humbje, duke kryesuar e vetme.
“Blutë” janë ekipi për tu mundur në Serie A dhe asgjë nuk duket rastësi. Një skuadër që në vitet e fundit ka qenë gjithmonë prezente në pjesën e sipërme të renditjes, me faktin se në sezonin 2018-2019, Napoli ishte skuadra nënkampione, apo suksesin në Kupën e Italisë në sezonin 2019-2020.

Baza ka ndryshuar, por jo mentalitetit dhe themelet, me drejtuesit të cilët me disa ndryshime në merkaton e verës dhe pa shumë zhurmë, ndërtuan një skuadër që tani nuk sheh më pas, por i sheh të gjithë poshtë.
Në Itali, kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga humbja e fundit në kampionat, pasi disfata e fundit është regjistruar në prill ndaj Empoli-t, ndërsa në Champions League Napoli pësoi zhgënjim ndaj Liverpool, gjë ishte thjesht një tregues se kjo skuadër është tokësore dhe gjithçka po bën është e fituar dhe plotësisht e merituar.

“Truri” i ekipit është trajneri Luciano Spalletti, i cili më parë në karrierën e tij, jo vetëm si trajner, por edhe si lojtar nuk e ka fituar kurrë titullin kampion në Itali dhe po flasim për një trajner, i cili në të kaluarën ka drejtuar ekipe si Roma dhe Inter.
Napoli, sot po mahnit Europën, me një organikë që në total mund të ketë më pak trofe të rëndësishëm se sa vetë klubi dhe të gjithë tani ëndërrojnë të shënojnë në CV-n e tyre një trofe kaq të dëshiruar.

Shumë ujëra kanë rrjedhur nga suksesi i fundit në Itali dhe tani, diku atje lart, “Dora e Zotit” pret të përkëdhelë titullin kampion që Napoli do të provojë ta çojë lart, në qiellin e stadiumit “Diego Armando Maradona”.