Ambasadori Amerikan në Beograd: Serbët kur të zgjohen do shohin që shqiptarët e kanë marrën Kosovën!





Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, gjatë një interviste për TV Happy ka thënë se qoftë në këtë shekull apo në shekullin tjetër, “serbët kur të zgjohen do të shohin se shqiptarët e kanë marrë Kosovën për vete” dhe për këtë, transmeton Spektri siç tha ai, shpreson që normalizimi do të arrihet ndërkohë për të vazhduar me gjërat që kanë rëndësi për njerëzit mesatarë.

Hill vlerësoi se vendet perëndimore po kërkojnë nga Beogradi dhe Prishtina që t’i përmbahen procesit të dialogut dhe të përpiqen të ulin tensionet dhe të krijojnë hapësirë ​​që ata të bisedojnë me njëri-tjetrin për të arritur marrëdhënie normale.

Në pyetjen nëse rasti i Kosovës mund të krahasohet me rastin e territoreve ukrainase që iu aneksuan Rusisë, Hill tha se nuk ka shumë ngjashmëri, sepse Ukraina është në një pozicion tjetër.

“Fqinji i Ukrainës, Rusia, po sulmon Ukrainën dhe civilët e saj dhe ndërkohë po anekson territoret e saj. Ne nuk kemi parë gjëra të tilla që nga fillimi i shekullit të 20-të,” vuri në dukje Hill dhe vlerësoi se kjo është një situatë ndryshe nga ajo që ka ndodhur në lidhje me Kosovën 23 vjet më parë./Spektri