Arabia Saudite e shokon Argjentinën dhe gjithë botën e futbollit





Argjentina është shokuar nga Arabia Saudite në ndeshjen e tyre të parë në Kampionatin Botëror, pasi janë mposhtur 2-1 në kuadër të Grupit C.

Pas vetëm dhjetë minutash lojë, argjentinasit kaluan në epërsi me anë të Lionel Messit që realizoi nga penalltia.

Më pas, Argjentina kishte tri gola të anuluar nga VAR-i për pozicion jashtë loje, duke e rënduar gjendjen e tyre psikologjike.
Në anën tjetër, Arabia Saudite ishte fantastike në grackat e tyre të pozitës jashtë loje, duke i realizuar me përpikëri dhe realizuan shtatë të tillë vetëm në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisin në mënyrë shokuese për Argjentinën, që pësoi dy gola të shpejtë.

Ishte minuta e 48-të e takimit, kur Saleh Al Shehri i barazoi shifrat në 1-1, për t’u dhënë shpresë bashkëlojtarëve.

Për t’i lumturuar edhe më shumë ata, u përkujdes Salem Al Dawsari që realizoi për 2-1 në minutën e 53-të.

Argjentinasit u munduan deri në fund që të merrnin së paku një pikë nga ky takim, por dolën të mposhtur nga ndeshja e tyre e parë.

Arabia Saudite është lidere e Grupit C me këtë triumf me tri pikë, Polonia e Meksika do të përballen pasdite, ndërsa Argjentina do të synojë pikë nga takimet e tjera. /Telegrafi/