Shefi i Shërbimit për Luftimin e Kriminalitetit në Serbi, Boshko Sekulloviq, është arrestuar mëngjesin e sotëm bashkë me shefin e Drejtorisë së Policisë Kriminalistike (UKP), Marko Kriçak, transmeton Spektri.
Sipas raportimit, arrestimet janë kryer në një aksion të Shërbimit për Luftën kundër Korrupsionit, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.
Duke iu referuar një burimi të paidentifikuar, raportimi thekson se Sekulloviqi dhe Kriçaku dyshohen për veprime të kundërligjshme gjatë hetimit të rastit “Senjak”, përfshirë rrahjen e disa të dyshuarve gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor.
Rasti lidhet me vrasjen e Aleksandar Neshoviqit, të kryer mbrëmjen e 12 majit në restorantin “27”, në lagjen Senjak të Beogradit. Për këtë vrasje është akuzuar Sasha Vukoviq.
Hetimi ishte shoqëruar që në fillim me paqartësi dhe versione kundërthënëse për personat që ndodheshin në vendngjarje, si dhe për ata që dyshohet se ndihmuan në fshehjen e trupit dhe zhdukjen e gjurmëve pas krimit.