Arrestohet kreu i Policisë Kriminalistike në Serbi

Njeriu që drejtonte njërën prej strukturave më të rëndësishme të policisë serbe, tashmë është vetë nën hetim. Marko Kriçak, shef i Drejtorisë së Policisë Kriminalistike (UKP), është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, transmeton Spektri.

Sipas raportimit, arrestimi është kryer mëngjesin e sotëm me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, pas kallëzimit penal të avokatëve të ndihmësdrejtorit të policisë, Veselin Miliq. Në të njëjtin rast është ndaluar edhe Boshko Sekulloviq, shef i Shërbimit për Luftimin e Kriminalitetit.

Dyshime për falsifikim provash dhe presion ndaj dëshmitarëve

Dyshimet lidhen me hetimin e vrasjes së Aleksandar Neshoviqit, i njohur si Baja, në restorantin “27” në Senjak. Aksionin policor pas vrasjes e kishte drejtuar pikërisht Kriçaku, ndërsa kallëzimi fillestar i policisë përfshinte edhe Miliqin, atëherë njëkohësisht shef i policisë së Beogradit.

Tani, Kriçaku dyshohet se ka falsifikuar prova dhe ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve e të akuzuarve, me qëllim që deklarimet e tyre t’i përshtateshin një versioni të paracaktuar të ngjarjes.

Karrierë në BIA, akuza për dhunë dhe lavdërime nga Vuçiqi

Para emërimit në krye të UKP-së, në fund të vitit 2025, Kriçaku kishte shërbyer në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), si dhe në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Në korrik të vitit 2023 ishte emëruar komandant i Njësisë për Sigurimin e Personaliteteve dhe Objekteve të Caktuara.

Emri i tij u bë veçanërisht i njohur gjatë protestave studentore, kur ai dhe njësia që drejtonte u përballën me akuza publike për brutalitet ndaj protestuesve. Studentja Nikolina Singjeliq e kishte akuzuar publikisht edhe për kërcënim me përdhunim.

Akuza për dhunë u ngritën edhe gjatë hetimit të vrasjes në restorantin “27”. Katër të dyshuar pretenduan se ishin rrahur në polici, ndërsa pronari i restorantit deklaroi se mes personave që e kishin goditur ishte edhe Kriçaku.

Këto pretendime mbeten akuza që duhet të shqyrtohen nga organet kompetente.

Kriçaku, i lavdëruar publikisht disa herë nga Aleksandar Vuçiqi, ishte përballur së fundmi edhe me kërkesën e përfaqësuesve të Listës Studentore për dorëheqje.

Dorëheqjen nuk e dha. Sipas raportimit, përfundoi i arrestuar nga vartësit e tij, duke u bërë shefi i parë i UKP-së që përfundon në pranga.