Policia e Kosovës në aksion, zbulon nga pamjet e dronit plantacione të mbjella me kanabis në gjatësi deri 3 metra.

Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se ka zbuluar dhe shkatërruar plantacione me bimë të dyshuara narkotike në zonën kufitare.

Në një komunikatë të dërguar për media nga policia kanë thënë se janë duke marrë në vazhdimësi operacione për parandalimin dhe luftimin e dukurive të tilla në Kosovë.

“Në vazhdën e implementimit të Planit Operativ ” Parandalimi i kultivimit të narkotikeve dhe kontrabandës 2020” nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare (DRPK)- Perëndim, pas aktiviteteve të inqizimit me dron të terenit të dyshuar për kultivim të bimeve narkotike, është bërë vlerësimi dhe identifikimi i vendit të inqizuar. Përderisa, sot me datë 23.09.2020, nga ora 06:00 e mëngjesit njesia e hetimeve rajonale të DRPK-Perëndim, e mbështetur edhe nga njësitet e vijës së gjelber kufitare, gjatë implementimit të Planit Operativ në terren në Koshare, konkretisht në vendin e quajtur UJZE- Rripe e vogël janë zbuluar gjashtë (6) plantacione me bimë të dyshuara narkotike si Canabis Stativa (Marihuanë), konkretisht 1270 bimë narkotike me gjatësi nga 1.50 deri ne 3 metra”, thuhet në njoftim.

“Nga vendi i ngjarjes është njoftuar prokurori kujdestar dhe njesia anti-drogë në Gjakovë, dhe me urdhër të prokurorit të gjitha bimët narkotike janë shkatërruar (djegur) në vendin e ngjarjes. Policia e Kosovës, konkretisht Policia Kufitare e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar në ndermarrjen e veprimeve hetimore dhe operacionale në funksion të parandalimit dhe luftimit të të gjitha dukurive negative dhe veprave penale që bien në fushëveprimin e departamentit kufitar të Policisë, dhe kryesit e këtyre veprave të sillen para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Drejtuesi i Lëvizjes Qytetare URA dhe mbajtësi i listës “E Zezë në të Bardhë”, Dritan Abazoviç, u takua me Metropolitin e Malit të Zi Amfilohije, dhe udhëheqësit e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” dhe “Paqja është kombi ynë”, raporton CdM.

Por në takimin nën Ostrog ndodhi një gjë e befasishme. Abazoviç propozoi Zdravko Krivokapiç për kryeministër, ndërsa Fronti Demokratik që kryeson e refuzoi.

“Kur shumicës së pjesëmarrësve u dukej se gjithçka ishte rënë dakord, një nga udhëheqësit e DF tha që Krivokapiç nuk kishte mbështetje dhe se ai duhej të kalonte një rishikim të besimit në koalicion”, shkruan Vijesti.

Negociatat midis tre koalicioneve për formimin e qeverisë u bllokuan për shkak të mosmarrëveshjeve midis DF dhe Abazoviç, veçanërisht mbi vendimet e personelit dhe marrjen e departamenteve kryesore.

Amfilohije u erdhi në ndihmë për t’u përpjekur të qetësonte pasionet dhe të bindte të dy palët se duhet të formohet një qeveri. Përkundër angazhimit të Amfilohije, ende nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Situata është ndërlikuar më tej nga mbështetësit dhe zyrtarët e DF, të cilët thonë se nuk pajtohen me shantazhin, i cili, siç thonë ata, po ushtrohet nga URA dhe Abazoviç. 

Sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë veprimtari, biznesmeni e legjenda e SC Gjilanit, Shukri Sylejmani. Sylejmani ishte një veprimtar shoqëroro-politik duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në jetën shoqërore, politike, por ishte edhe biznesmen e humanist i madh gjatë jetës së tij.

Shukri Sylejmani ishte dhe do të mbetet legjendë e SC Gjilanit.

Shukri Sylejmani kishte një zemër të madhe, ishte i buzëqeshur dhe i dashur për gjithë komunitetin ku do që paraqitej.

Më humbjen e Shukri Sylejmanit, shoqëria e sporti ka humb një mik të madhë të saj, ndërsa SC Gjilani ka humbur njeriun e saj më të madh që ka pasur.

56 vjeqari Shukri Sylejmani varroset sot në varrezat e qytetit në Gjilan.

Emisari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, deklaroi se marrëveshja nga Washingtoni dhe marrëveshjet e arritura në Beograd sot nuk janë thjesht fjalë në letër, por gjithashtu nënkuptojnë punë të reja për njerëzit që jetojnë në këtë rajon dhe zhvillimin e sektorit privat.

“Ne nuk do të ishim këtu nëse nuk do të ishte Presidenti Trump, i cili besonte se diçka tjetër mund të ndodhte. Ai besonte se ekonomia mund të vihej në plan të parë dhe theksi mbi vendet e punës. Premtime iu dhanë popullit të Serbisë dhe ne duam që ju të na konsideroni “Këto nuk janë thjesht fjalë në letër, por punë për njerëzit që jetojnë këtu,” tha Grenell, duke theksuar se ky ishte një mesazh për qytetarët serbë.

Delegacioni i Qeverisë amerikane, pjesë e të cilit është edhe Grenell gjatë së hënës qëndroi për vizitë në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke bërë përpjekje që të tregojnë angazhim serioz për konkretizim të shpejtë të zbatimit të zotimeve të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruara më 4 shtator në Uashington, thotë analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi.

Sipas tij, në këtë frymë ishte edhe vizita në Prishtinë e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, si dhe e kryeshefit ekzekutiv të Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler.

Ky i fundit ka nënshkruar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës ata mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një Marrëveshjeje të Re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA”.

Gjithashtu edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cilësojnë vizitën e delegacionit amerikan, si dëshmi të seriozitetit të SHBA-së për konkretizimin e marrëveshjes së 4 shtatorit.

Maliqi: Konkretizimi i marrëveshjes së Uashingtonit, presion edhe mbi BE-në

Analisti Agon Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se paralelisht me porosinë që u dërgohet Kosovës dhe Serbisë, që marrëveshja e 4 shtatorit do të konkretizohet shpejtë, vizita e delegacionit amerikan në Prishtinë dhe më pas edhe në Beograd, dërgon porosi edhe për skeptikët, të cilët e kanë parë këtë marrëveshje vetëm si pjesë të fushatës zgjedhore presidenciale të presidentit amerikan Donald Trump.

Për më shumë, kjo vizitë dërgon porosi edhe për Bashkimin Evropian që të dinamizojë pjesën politike të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Shumë shpesh kjo lloj marrëveshje ( e 4 shtatorit në Uashington) reduktohej vetëm në atë idenë e fushatës për presidentin Trump. Mirëpo, konkretizimi i këtyre nismave ekonomike nuk mund të ketë lidhje vetëm me atë. Mund të jetë edhe një formë e presionit, shtysës edhe ndaj BE-së që të ecë më shpejtë me pjesën politike dhe që nëse tregohet e ngathtë, një administratë Trump – besoj vështirë kjo e tanishmja, por ndonjë e dytë eventuale – mund sërish të marrë rol prijës edhe në pjesën politike. Kështu po e lexoj në njëfarë forme këtë”, tha Maliqi.

Serioziteti i SHBA-së për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson që pavarësisht skepticizmit që është shfaqur dukshëm në Kosovë lidhur me marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, e cila është nënshkruar si zotim i njëanshëm i palëve, tashmë shihet që administrata e presidentit Trump ka një seriozitet për zbatimin e saj.

Sipas tij, ndryshe nga zotimet që BE-ja ka pasur në të kaluarën, vizita e ambasadorit Grenell dhe delegacionit nga SHBA-ja, po tregojnë seriozitetit për realizimin praktik të projekteve që e lidhin Kosovën me vendet tjera të rajonit, si dhe të vendosmërisë për të investuar edhe në sektorë tjerë të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.

“Është një qasje që nënkupton edhe përkrahje të drejtpërdrejtë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme apo projekte që janë jo vetëm të natyrës infrastrukturore, por edhe të investimeve në sektorë tjerë të rëndësishëm. Janë dy gjëra të rëndësishme që duhet të theksohen. Pra, nëse këto projekte realizohen, Kosovën e bëjnë epiqendër të rëndësishme të transportit ndërkombëtar. E dyta, rajonin e bën vend më atraktiv për investime”, theksoi Rukiqi.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë që vizita e delegacionit të SHBA-së në Kosovë dhe nënshkrimi i deklaratës së përbashkët ndërmjet kreut të Qeverisë së Kosovës dhe kreut të Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit, dëshmoi përkushtimin e institucioneve financiare të SHBA-së për zbatimin e pikave të marrëveshjes së Uashingtonit, të cilat kanë të bëjnë me projektet infrastrukturore.

“Po ashtu edhe për zhvillimin e projekteve tjera, të cilat mund të mos jenë përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë brenda marrëveshjes, meqenëse marrëveshja përmend edhe projekte tjera, të cilat mund të identifikohen nga ana e palëve. Në këtë rast, është edhe diversifikimi i burimeve të energjisë, meqenëse u përmend që mund të ketë edhe investime në shtrirjen e rrjetit të gazit të lëngshëm natyror. Po ashtu, interesante është edhe kryerja e studimeve të fizibilitetit për identifikimin më të mirë të mënyrave të përdorimit të resurseve që Kosova i ka në funksion të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës”, theksoi Zeka.

Ai shtoi që duket qartë që SHBA-ja është e interesuar që marrëveshja për normalizim ekonomik, e 4 shtatorit, e nënshkruar në Uashington nga Kosova dhe Serbia, të zbatohet në praktikë. Kjo, sipas tij, e bën dallimin nga rastet e mëhershme të marrëveshjeve të tjera të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia, qoftë me ndërmjetësimin e BE-së apo ndërmjetësve të tjerë.

Befasi tjetër nga administrata e Trumpit?

Analisti politik Maliqi, shpreh mendimin që SHBA-ja në fakt është duke u paraqitur edhe si kontrast i BE-së, si palë që e mbanë fjalën, që mund t’i shtyjë gjërat para dhe mund të prodhojë ndryshim. Ai nuk e përjashton edhe një rikthim të mundshëm të SHBA-së në pjesën politike të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Tani, zgjedhjet në Amerikë janë edhe 45 ditë. Nuk është ndonjë kohë shumë e gjatë, kohë premtuese për SHBA-në, për ta filluar një proces ose për të shtyrë diçka tjetër përpara. Por, kjo është një administratë shumë e çuditshme dhe gjithçka është e mundur. Por, në çdo rast, gjithsesi është shenjë që në një mandat të dytë eventual (të Trumpit) mund ta shohim një SHBA që e vazhdon një qasje të veten unilaterale në rajon. Do të thotë, me një prezencë që jo vetëm të bashkërendohet me BE-në, por në njëfarë forme e konkurron atë”, vlerësoi Maliqi.

Ambasadori Grenell, të dielën, para se të nisë vizitën në Prishtinë, ka shkruar në Twitter që “zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i administratës së presidentit Trump”.

Gjatë vizitës në Prishtinë ai ka shprehur besimin që “zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës do të ndryshojë pejsazhin politik të rajonit”.

Pas Prishtinës, Grenell dhe delegacioni nga SHBA-ja, kanë udhëtuar për në Beograd, ku Koorporata Ndërkombëtare e Financave dhe Zhvillimit e SHBA-së do të hapë zyrën e vet. Më pas, delegacioni do të vizitojë Greqinë dhe Izraelin.

Është nënshkruar marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara (DFC), Adam Boehler.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në konferencën e përbashkët për media, pas nënshkrimit të marrëveshjes, zyrtarët amerikanët kanë premtuar mbi 1 miliard dollarë investime për projektin “Autostrada e Paqes”, hekurudhën që lidh Kosovën me Serbinë dhe projektet e tjera, shkruan Telegrafi.

Marrëveshja e nënshkruar të hënën është në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka thënë se është i lumtur ta mirëpres delegacionin amerikan në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Prezenca e tyre e tregon seriozitetin për zbatimin e një marrëveshjeje, e cila po cilësohet marrëveshje historike drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kishim një bisede të gjerë për të gjitha pikat e marrëveshjes, do të lëvizim shpejt drejt zbatimin të kësaj marrëveshje. Marrëveshja që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të punës, do të shndërrojë Kosovën dhe regjionin më të integruar. Ne jemi angazhuar si Qeveri dhe kemi bërë përgatitjet e duhura të lëvizim drejt zbatim të marrëveshjes”, tha Hoti.

Ndërkaq, Grenell ka pohuar se qëllimi i vizitës së tyre në Kosovë ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes ekonomike mes dy vendeve.

“Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizim ekonomik. Qytetarëve të Kosovës u janë bërë shumë premtime në të kaluarën, dhe ne përmes kësaj marrëveshje po bëjmë një zotim para jush që është zbatimi i marrëveshjes ajo për çka kemi ardhur. Ajo që ne po bëjmë përmes kësaj marrëveshjeje, dhe të gjithë stafet nga SHBA dhe përmes ambasadës amerikane, është që të shprehim përkushtimin tonë. Ajo që duam ne është përmbushja e marrëveshjes dhe të ecim përpara për një zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik, vendet e punës dhe energjia, do të ndryshojë peizazhin politik të rajonit”, tha Grenell, përcjell Telegrafi.

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, Adam Boehler theksoi se do të investojnë në Kosovë.

“Me kolegët e mi nga Departamenti i Energjisë, me EXIM Bank, një bankë tjetër 100 miliardë dollarëshe, e fokusuar në eksport dhe import, me Departamentin Ekonomik dhe Këshillin e Sigurisë Ndërkombëtare. Është një delegacion i paprecedent për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne jemi këtu për ta nënshkruar një marrëveshje dhe për t’i mbështetur miqtë e tonë në Kosovë”, tha Boehler.

Sipas Boehler, vlera e projekteve të investuara do të kaloj vlerën e një miliard dollarëve.

“Ne kemi punuar në përgatitjet për mundësitë të asaj që ka ndodhur para dy javësh. Ne kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin, ne jemi duke përgatitur projekte që kalojnë vlerën një miliard dollarë. Kjo përfshinë rrugën “Autostrada e Paqes”, hekurudhën, përfshinë gazin e lëngshëm natyror (LNG). Ne kemi folur dhe kemi diskutuar për mundësinë e investimeve në resor skijimi”, tha ai në konferencën për medie.

Ndryshe, Delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po udhëhiqet nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. /Telegrafi/

Është nënshkruar marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC), Adam Boehler.

Marrëveshjet e nënshkruara sot janë në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Sipas dokumentit të nënshktuar, kjo do të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

“Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”, thuhet në dokument, përcjell Telegrafi.

Deklarata e përbashkët ekonomike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së

Po ashtu, në këtë deklaratë thuhet se, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon.

“Kosova dhe SHBA-ja synojnë të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. Duke e zbatuar besnikërisht këtë marrëveshje, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon”, përfundon deklarata. /Telegrafi/

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloivic, ka treguar se të mërkurën do të takohet me delegacionin e lartë të Korporatës Amerikanë për Zhvillim dhe Financa (DFC).

Ajo ka treguar se në këtë takim do të diskutohet për investimin 3.7 miliardësh të SHBA”së për ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave për krijimin e lidhjeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Mihajlovic teksa ka folur për tanjug, ka thënë se bëhet fjalë për 4 rrugë në total prej 276 kilometrave për lidhjen e Kosovës dhe Serbisë.
Njëra autostradë është ajo Nish-Merdare-Prishtinë e gjatë 100 kilometra, tjetra Bujaonvc-Konçul-Gjilan- Shtërpc e gjatë 78 kilometra, pastaj një rrugë Rashkë-Jarinjë-Mitrovicë që është 61 kilometra dhe gjithashtu rregullimi i rrugës Ribar-Bërnjak-Zubin Potok prej 28 kilometrash.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë ka thënë se për këto projekte do të jenë të nevojshme diku nga 2.18 deri në 2.73 miliardë.

Ajo gjithashtu ka thënë se në fokus të bisedave do të jetë edhe vazhdimi i financimit të autostradës Nish-Merdare-Pristhinë, për të cilën do të nevojiten 750 milionë euro, dhe gjithashtu për ndërtimin e hekurudhës në të njëjtin drejtim.

Politikanja serbe ka thënë se kur bëhet fjalë për hekurudha, është planifikuar një projekt Beograd-Nish prej 240 kilometrave që do të ndërtohet financimet e disa partnerëve kinez (CRBC) e që do të kushtojë afro 2.1 miliardë.

Gjithashtu ajo ka treguar edhe për një hekurudhë nga Doljevaci për në Kurshumli e që do të lidhet në Merdare me gjatësi prej 87 kilometrave që do të kushtojë 980 milionë euro.

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 70 mijë euro për blerjen e librave në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës bëri të ditur se kanë komunikuar edhe me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe shuma totale për blerjen e librave për nxënësit e Luginës është 140 mijë euro dhe këtë shumë janë pajtuar ta ndajnë në mënyrë të barabartë.

“Këto mjete planifikohen të ndahen nga rezervat shtetërore për mbulimin e kostos për librat e gjuhës shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës”, tha zëvendësministri Krasniqi. 

Sot një delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler do të jetë për vizitë në Kosovë.

Në delegacion do të jetë edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA.

“Më 21 shtator 2020, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA” thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Vizitën në rajon e ka konfirmuar edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Përmes Twitter, ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është në top prioritetet kryesore të Administratës Trump.

“Shihemi në Prishtinë dhe Beograd këtë javë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, kjo vizitë bëhet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

Image