Shtimi i hudhrës në shujta, sallata dhe gjëra tjera ushqimore e bën çdo gjë më të shijshme.

Por, pavarësisht shijes së mahnitshme (ndonëse një pjesë e madhe nuk janë adhurues të erës), hudhra është gjithashtu një prej ushqimeve më të shëndetshme në planet, transmeton Telegrafi.

Në fakt, hudhra njihet si antibiotiku më i fuqishëm natyral që është krijuar nga vet Natyra, dhe e përmirëson shëndetin në shumë mënyra.

‘Journal of Antimicrobial Chemotherapy’ ka publikuar një studim të kryer nga Universiteti Shtetëror i Uashingtonit, ku është përqendruar në një prej baktereve më të zakonshme, që quhet campylobakteri.

Ky bakter është shkaktari kryesor i shumë sëmundjeve që shpijnë në diarre, grip de dhimbje barku.

Hulumtimet kanë treguar se hudhra është 100 herë më e aftë ta shkatërrojë atë bakter sesa antibiotikët e zakonshëm. Veç kësaj, shkencëtarët po ashtu kanë zbuluar se hudhra vepron shumë më shpejt se ilaçet.

Përveç vetive antibiotike që ka, hudhra ofron përfitime shëndetësore tjera, si:

– E forcon sistemin e imunitetit
– E pastron gjakun nga toksina
– E zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare
– E zvogëlon rrezikun e kancerit
– Ndihmon të rikuperoheni më shpejt nga gripi
– E trajton në mënyrë natyrale shtypjen e gjakut.

Kushtëzimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për ta vazhduar dialogun vetëm nëse hiqet taksa dhe mos ndërrimit të statutit të Trepçës, i është përgjigjur bashkë-kryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka shkruar se mendimet e presidentit serb nuk kanë asnjë peshë juridike.

Ahmeti tutje ka thënë se vendimet sovrane të Kosovë, mund t’ia prishin planet Vuçiqit, transmeton Telegrafi.

“Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”! Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale  Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme ta vazhdojë dialogun, dhe Serbia vendos nëse do të marrë pjesë në këtë proces.

Por sipas tij, shteti serb asnjëherë nuk do të mund ta shfrytëzojë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës.

“Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit”, ka shkruar Shpend Ahmeti.

Bashkë-kryesuesi i dialogut në fund ka thënë se dialogu është për ta përmbyllur temën e hapur me Serbinë, që është mosnjohja dhe mospranimi i Republikës së Kosovës.

“Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë”, ka përfunduar Shpend Ahmeti postimin e tij në Facebook.

Ndryshe, sipas Vuçiqit, dialogu mund të vazhdojë kur Prishtina siç tha ai të ndalë provokimet, e në veçanti tentimit për t’ia ndërruar statutin Trepçës që vlerëson se është rrëmbim i pronës serbe.

Në komunikatën e lëshuar për media pas takimit me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Kiff, Vuçiq, ka thënë se Serbia gjithmonë do të jetë e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

Numri më i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim në Kirurgjinë Plastike në QKUK, janë ata me djegie të ndryshme. E djegiet më të mëdha vijnë nga pakujdesia me ibrikët e çajit të zi, ndryshe i njohur si çaji i ‘rusit’

Klinika e Kirurgjisë Plastike në QKUK është e vetmja qendër referente për pacientët kosovarë që kërkojnë ndihmë për trajtimin e djegieve. Në këtë klinikë poashtu trajtohen edhe patologjitë e shuplakës së dorës, lëndime të ndryshme si dhe sëmundje kongjenitale tek fëmijët, shkruan Gazeta Shneta.

Në këtë klinikë bëhet trajtimi i tumoreve beninje dhe malinje në secilën pjesë të trupit. Një projekt që ka filluar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike është edhe rekonstruktimi i gjirit pas heqjes tek gratë të cilat kanë karcinoma dhe bëjnë amputimin e gjirit. Deri më tani janë kryer dy intervenime të tilla.

Në këtë klinikë ka vetëm një sallë operative çka bënë që pacientët të presin deri në një muaj në mungesë të hapësirave për trajtim. Brenda ditës kryhen 4 deri 5 operacione. Gjatë muajit prill janë kryer 145 operacione, ndërsa në ambulanten specialistike janë kryer 680 shërbime.

Mjekja Violeta Zatriqi thotë se në këtë klinikë ka kapacitete të mjaftueshme mjekësore për trajtimin e të gjitha patologjive, por megjithatë ka mungesë të kushteve dhe hapësirave për të kryer shërbimet.

Zatriqi thekson mungesën e një qendre të djegies për të cilën thotë se gjendet pothuajse në çdo shtet. Ajo shton se në këtë qendër do të trajtoheshin ekskluzivisht vetëm pacientët me djegie të cilët do të kishin dhoma të veçanta me mundësi për pastrim dhe laborator dhe një qendër gjysëmintensive. Për momentin gjysma e klinikës është e improvizuar për këtë shërbim.

“Është shumë në interes të madh sepse një avari apo incident në termocentrale apo dikund tjetër, mund të vijë deri te djegia e një numri të madh të pacientëve dhe ku do t’i trajtojmë ata”, deklaron Zatriqi.

Ajo thotë se pacientët me djegie mbi 40 për qind duhet të trajtohen jashtë vendit dhe për këtë është kosto e lartë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Numri më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë, janë pikërisht nga djegiet. Ato ndodhin zakonisht nga uji i nxehtë, kur fëmijët prekin ose bien në kazanë me ujë të vluar e poashtu një numër i madh i pacientëve digjen edhe nga ibrikët e çajit.

“Konsumimi i madh i çajit dhe nga pakujdesia, kemi shumë raste që vijnë me djegie nga ibrikët. Poashtu kemi numër të madh të pacientëve që janë punëtor të KEK-ut të cilët digjen nga rryma dhe në shumë raste kemi edhe amputime sepse janë djegie të thella”, deklaron doktoresha.

Për momentin në këtë klinikë ka filluar edhe shërbimi i mikrokirurgjisë me një ekip prej 4 kirurgëve të cilët janë trajnuar në Irlandë dhe Suedi. Këta kirurgë bëjnë riimplantimin e gishtit të këputur në aksidente. Ky shërbim për momentin kryhet me anë të metodave me llupa, ndërsa Zatriqi thotë se SHSKUK iu ka premtuar se do t’i pajisin me mikroskop.

Edhe në këtë klinikë, sikurse në të tjerat ka mungesë të madhe të barnave dhe materialeve shpenzuese. Ndonëse kërkesat janë të vazhdueshme, aty mungojnë medikamentet që nevojiten më së shumti si gazrat apo betadina për pastrimin e lëndimeve.

Turqit po e ‘pushtojnë’ Malin e zi, si tregtarë e si investues. Se ata janë gjithnjë e më të shumtë në numër e dëshmojnë të dhënat se vitin e kaluar janë regjistruar 1.545 kompanish e ndërmarrjesh ekonomike të tyre, ndërsa vetëm para tri vitesh kanë qenë memzi shtatëdhjetë.

Rusët po tërhiqen, duke i shitur patundshmëritë me çmime më të ulëta se sa kur i kanë blerë ato në vitin 2006 dhe dy vite në vazhdim, shkruan gazeta serbe ‘Novosti’.

Ndërtesa të mëdha banimi, sipas gazetës, kërkojnë blerës në Budvë e vende tjera të Malit të Zi, sepse oferta e madhe dhe rënia e aftësisë blerëse të klasës së mesme ka bërë që atyre t’u bjerë çmimi – 1.200 deri 2.500 euro për metër katror në Budvë.

“Kanë ndodhur ndryshime të mëdha në treg”, i kanë thënë gazetës në agjencinë “Kamin” në Budvë. “Tash rusët, të cilët kanë qenë blerësit kryesor duke ofruar shuma të mëdha për banesa, shtëpi e troje – janë shitës. E blerës janë turqit”.

Tash për tash turqit vetëm duan të kenë “adresë malazezë”, sepse banesat po i lëshojnë me qira, ndërsa po përgatiten të hapur restorane, por edhe biznese tjera.

Rusët, në kohën e të cilëve banesat janë shitur edhe deri në 8.000 euro metri katror, tash po tërhiqen për shkak të krizës ekonomike, por edhe për shkak të marrëdhënieve të tendosura ndërmjet Malit të Zi e Federatës Rusë qëkur Mali i Zi ka hyrë në NATO.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka zhvilluar sot një takim me një grup studentësh të Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë. Duke folur për situatën ku ndodhet Kosova dhe Shqipëria, Kurti u shpreh se ka ardhur ora për të larguar Edi Ramën dhe Hashim Thaçin.

Kreu i Vetëvendosjes e cilësoi të gabuar dhe anti-kombëtare idenë e shkëmbimit të territoreve. Kreu i VV-së akuzoi sërish Presidentin Thaçi se po shet Kosovën tek Serbia. “Serbia është e interesuar që ta ndajë Kosovën që të vijojë duke ndarë Bosnjën, ajo synon që të realizojë Serbinë e Madhe përmes ndarjes së fqinjëve. Kosova nuk ka as 5% serbë, ndërsa Serbia ka 20% pakica, por për Serbinë nuk flitet, por vetëm që të ndahet Kosova”,- u shpreh kreu i Vetëvendosjes.

Duke e cilësuar të papranueshme copëtimin e Kosovës, Thaçi dekloi se ka ardhur koha që liderët që bëjnë pazare të largohen. “E gjitha filloi në mesin e 2018 kur Thaçi paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Korrigjimi nëse është korrigjim i një gabimi duhet të na kënaqë jo të na dhembë, atëherë çfarë korrigjimi është ky? Ka pasur bisedime sekrete me Vuçiç për të ndarë Kosovën, duke e maskuar si shkëmbim territorial, apo integrimin në BE apo OKB, si karrem për të futur edhe Serbinë në lojë. Kosova ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë, por jo duke u tkurrur.  Kjo është e papranueshme, e padrejtë dhe anti-kombëtare. Ka ardhur koha për një pranverë shqiptare edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, pasi edhe kemi mbetur në fund të vendeve europiane edhe po shtohet rreziqet nga fqinjët grabitqarë, prandaj duhet të kemi një rikthim te populli, pasi institucionet nuk janë në nivelin që na kërkon realiteti”,- deklaroi Albin Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes mbështeti protestat e studentëve në Tiranë duke e cilësuar ato si të drejta dhe reagim normal të të rinjve që nuk pranojnë një shtet dhe arsim monopolesh.

“Protesta e studentëve është protestë kundër privilegjeve që ekzistojnë për biznesmenët. Studentët kanë reaguar ndaj padrejtësive në arsim. Politika te ne është arti  i keq, në Shqipëri është monopolizuar gjithçka, dhe humori. Studentët nuk janë e ardhmja, rinia është e tashmja jonë’, u shpreh Albin Kurti për media.

Sipas Kurtit qëndresa që po bëjnë studentët dhe nga sot po ashtu dhe pedagogët, do të çojë në një fitore. “Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse çdo herë dhe çdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë’, deklaroi nga Tirana kreu i Vetëvendosjes”,- tha Albin Kurti.

“E kemi vendosur tarifën 100 për qind mbi produktet dhe mallrat serbe për shkak se Serbia na e ka imponuar një masë të tillë dhe tarifa do të qëndrojë”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë ditës së sotme ka vizituar shkollën “Jeronim de Rada” në Ferizaj, ku ka komentuar edhe darkën e mbrëmshme në shtëpinë e presidentit Thaçi.

Kryeparlamentari ka deklaruar para gazetarëve, se darka e mbrëmshme ka qenë për t’ia uruar shtëpinë e re presidentit.

“Ia uruam shtëpinë e re Thaçit”, është shprehur shkurt Veseli, transmeton Telegrafi.

Ai ka folur edhe për taksën ndaj produkteve të Serbisë, duke vlerësuar se Serbia po vazhdon të lobojë kundër Kosovës.

I pari i legjislativit, tha shkurt se vendimi për taksën do të vazhdojë të mbetet në fuqi.

“E kemi vendosur tarifën 100 për qind mbi produktet dhe mallrat serbe për shkak se Serbia na e ka imponuar një masë të tillë dhe tarifa do të qëndrojë”, tha Veseli.

Veseli komentoi edhe draft-dokumentin për kushtet që të largohet taksa, ku tha se publikimi i tij ka qenë i panevojshëm.

”Serbia nuk do duhej t’i dinte kushtet tona”, është shprehur Veseli.

Ndryshe, Kadri Veseli ka propozuar që taksa 100% ndaj Serbisë të pezullohet për 120 ditë në këmbim të disa kushteve, të cilat nëse nuk zbatohen atëherë taksa do të rikthehej. /Telegrafi/

Çmimi i derivateve në Maqedoni prej sonte në mesnatë do të rritet, vendosi Komisioni Rregullator i Energjetikës.

Sipas vendimit të Komisionit Rregullator, çmimi i benzinës Eurosuper BS-98 do të rrihet për 0.50 denarë për litër dhe çmimi i ri do të jetë 63.50 denarë për litër, ndërkaq çmimi i benzinës Eurosuper BS 95 do të rritet për 1 denarë për litër, gjegjësisht tani do të kushtojë 62 denarë për litër.  Për një denarë do të rritet edhe çmimi i vajit ekstra i lehtë, i cili tani do të kushtojë 48.50 denarë.

Dizeli do të rritet për 1.50 denarë për litër dhe çmimi i ri do të jetë 60 denarë për litër.

Është ende e paqartë nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 7 shkurt do të diskutojë mbi Kosovën.

“SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Polonia kundërshtuan ashpër raportin e rregullt tremujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, në mënyrë që të vendoset në agjendën e seancës”, tha sot ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq.

Në një konferencë shtypi, ai tha se për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk u miratua rendi i ditës, i cili propozohet çdo muaj nga kryesuesi i radhës.

Daçiq shpjegoi se seanca për t’u diskutuar mbi raportin e rregullt është planifikuar për 7 shkurt, por nuk është e sigurt nëse do të jetë për Kosovën, pasi ka të ngjarë që rendi i ditës të miratohet atë ditë.

“Ne vështirë se mund të marrim nëntë vota për të qenë në agjendë, pasi nuk ka veto, por as nuk mund të marrin nëntë vota për të shkuar”, tha Daçiq.

Ndryshe, SHBA dhe Britania e Madhe tash e sa kohë kanë bërë thirrje që në Nju Jork të mos ketë seanca mbi raportin e rregullt të UNMIK-ut për Kosovën, duke pranuar kështu realitetin e ri të krijuar me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Përgjatë vizitës që i bëri sot shkollës ‘Jeronim de Rada’ në Ferizaj, kryeparlamentari Kadri Veseli ka komentuar edhe takimin e mbrëmshëm në shtëpinë e presidentit Thaçi ku prezent me liderëve të koalicionit qeverisës ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Veseli ka treguar arsyen e këtij takimi, e që sipas tij ishte shtëpia e re e presidentit të vendit.

“Ia uruam shtëpinë e re Hashim Thaçit”, ka thënë Veseli, transmeton Indeksonline.

 

 

Komuna e Bujanocit përmes faqes së Facebook-ut ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën me kompaninë Saba Bellça për vazhdimin e ndërtimit të sistemit të kanalizimit fekal në fshatin Nesalcë.

Vlera e punimeve me TVSH është 12 milion dinarë.

Sipas këtijë njoftimi ndërtimi i sistemeve të kanalizimit fekal do të vazhdojë edhe në vendbanimet tjera të komunës së Bujanocit me qëllim të përmirësimit të kushteve të qytetarëve.