Aventura e snajperistit amerikano-gjerman të UÇK-së në kërkim të vaksinave për Kosovën

22 vjet pasi luftoi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Betejën e Kosharës, snajperisti amerikano-gjerman, Michael Spath ka nisur një betejë të re nga Prishtina.

Ai po synon të sigurojë vaksina kundër infeksionit COVID-19 për qytetarët e Kosovës, shtetit të vetëm në rajon pa asnjë dozë vaksine kundër koronavirusit.

Amerikano-gjermani, i cili më 1999 kishte lënë Gjermaninë për t’iu bashkuar UÇK-së në Koshare dhe që tash e dy vjet është rikthyer për të jetuar në Kosovë, e ka vështirë të besoj dështimin e shtetit për sigurimin e vaksinave.

Ndonëse i pensionuar prej disa vitesh, Spath mbetet i angazhuar çdo ditë. Ai drejton një biznes në Prishtinë që ofron shërbime këshillimi për organizata dhe biznese.

Përmes kësaj kompanie, ai thotë se ka krijuar kontakte me Qeverinë e Izraelit në përpjekje për të siguruar vaksina për kosovarët. Madje, kontakte thotë se ka pasur edhe me qeverinë amerikane.

“Mendoj që vaksina është e rëndësishme për të ecur përpara dhe për t’i treguar botës se çfarë mund të bëjmë. I kam shkruar disa herë qeverisë së Kosovës, dhe të jem i sinqertë nuk më kanë kthyer asnjëherë përgjigje. I kam shkruar edhe komunitetit ndërkombëtar, pse mos të bëjmë një aventurë me Izraelin dhe ShBA-të, të cilët do të ndërtonin një fabrikë për prodhimin e vaksinave këtu, sepse kemi probleme me eksportin. Nuk kemi strukturë të organizuar të eksportit të mallrave”, ka thënë ai.

Por, kontaktet që ai ka krijuar me izraelitët dhe amerikanët nuk po arrin t’i krijojë me qeveritarët e Kosovës.

I njohur me nofkën ‘Frank Snajperisti’, Spath është zhgënjyer me neglizhencën e institucioneve të Kosovës ndaj iniciativës së tij.

“I kam shkruar direkt Qeverisë së Izraelit. U kam thënë se jam person privat dhe përfaqësohem përmes kompanisë time në Kosovë dhe ua kam bërë me dije se duam të ecim përpara, kjo është ideja ime. Për këtë çështje, po ashtu e kam informuar presidenten e Kosovës, znj. Osmani, si dhe kryeministrin në ardhje, Albin Kurti. Dhe, siç thash edhe më parë, nuk kam marrë ende përgjigje”, ka thënë Spath.

Pavarësisht se qeveritarët ia kanë kthyer shpinën, snajperistit të Kosharës, të pajisur me nënshtetësi të Kosovës vitin e kaluar, nuk i shkon në mend largimi nga Kosova.

“Kurrë nuk menduar për këtë, sigurisht që është e vështirë – nganjëherë ndiheni të zhgënjyer dhe kjo është krejt normale, por në zonën ku unë jetoj në Prishtinë të gjithë banorët më motivojnë. Me fjalë si: ‘Majk, jepi, bëje’. Dhe kjo më ndihmon”, ka deklaruar “snajperisti”.

Teksa vazhdon aventurën ndërkombëtare në kërkim të vaksinave, Spath dëshiron të krijojë një shembull të aktivizmit qytetar në vend. Ai nuk dëshiron të njihet vetëm për të bëmat e tij në luftë, por edhe për vepra të tjera.

Kësisoj, ai zotohet të mos e ndal aventurën e tij derisa t’i hapen dyert në Kosovë dhe në botë.