Bad News Eagles – orari, kundërshtari dhe çdo gjë tjetër rreth ndeshjes së sotme!

Ekipi shqiptar nga Kosova, Bad News Eagles, së fundmi ka siguruar pjesëmarrjen në fazën tjetër të turneut më të madh të CS:GO, turne ky i cili po mbahet në qytetin Antwerp të Belgjikës dhe ndeshja e tyre e radhës do të jetë kundër një ekipi danez, i cili renditet në vendin e 14 për momentin në ranglistën botërore të CS:GO.

Ditën e shtunë, 14 maj, duke filluar nga ora 12:00, ekipi Bad News Eagles do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të fazës “Legends Stage” të PGL Antwerp Major CS:GO, kundër ekipit Copenhagen Flames, në formatin Bo1.

Të dyja ekipet janë përballur edhe më parë me njëra-tjetrën, në formatin ‘Bo3’ online ku tri ndeshjet e fundit i ka fituar ekipi shqiptar Bad News Eagles, transmeton Telegrafi.

Tani në fazën “Legends Stage” ekipet do të garojnë për një grup çmimesh rreth 1 milion dollarë, ku ekipi i cili arrin të fitoj tri ndeshje do të kaloj në fazën tjetër “Champions Stage”, ku ndeshjet do të zhvillohen me audiencë të drejtpërdrejtë në sallën e sporteve Antwerps Sportpaleis, ndërsa ekipi i cili humb tri ndeshje eliminohet nga turneu.

Ndeshjen e ekipit Bad News Eagles mund ta ndiqni ditën e shtunë, 14 maj, duke filluar nga ora 12:00, në kanalet e PGL në platformat Twitch dhe Youtube.