Profesori i sociologjisë dhe kandidati i Listës Studentore, Jovo Bakiq, ka shprehur gatishmëri për të marrë drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Sipas Blicit, ai ka deklaruar se do ta pranonte detyrën nëse mandatari i ardhshëm do t’ia besonte atë. Emërimi i tij nuk është konfirmuar.
Bakiq ka thënë se është përgatitur për këtë përgjegjësi dhe se ka ide të qarta për ndryshimet që do të ndërmerrte. Në deklaratat e tij, të përcjella nga Blic, ai e ka vendosur reformën e ministrisë ndër prioritetet kryesore.
Ndër masat e përmendura janë kontrolli i pasurisë së punonjësve dhe krahasimi i saj me të ardhurat, shfrytëzimi i gjetjeve të kontrollit të brendshëm dhe angazhimi i ekspertëve të pensionuar të policisë. Ai ka përmendur gjithashtu nevojën për hetimin e lidhjeve të dyshuara mes pushtetit dhe grupeve kriminale.
Ndërkohë, Ilija Srdanoviq, i pari në Listën Studentore, ka deklaruar se është ende herët të spekulohet për emrin e kryeministrit dhe të ministrave të ardhshëm.
Blic përcjell edhe qëndrimin e ekspertit të komunikimit Gjorgje Trikosh, i cili ka kërkuar që përzgjedhja e drejtuesit të policisë të jetë rezultat i një vendimmarrjeje kolektive brenda listës. Aleksandar Vuçiq e ka kundërshtuar publikisht mundësinë që Bakiq të drejtojë këtë dikaster.
Bakiq është profesor i sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit dhe një nga kandidatët e Listës Studentore.