BE i reagon Vuçiqit pas publikimit të hartës së Kosovës të mbuluar me flamurin serb

Bashkimi Evropian ka reaguar pas veprimeve të fundit të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili ka postuar në rrjetet sociale flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Në një përgjigje për Telegrafin, BE ka përsëritur të premten thirrjet për liderët politikë, në Kosovë dhe Serbi, që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat, të cilat shkojnë në kundërshtim me normalizimin e raporteve mes tyre.

“Bashkimi Evropian gjithmonë u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi, Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë një atmosferë të favorshme për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin, dhe jo e kundërta”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje theksohet se Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe punën për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ndaj postimit të fotografisë së Vuçiqit, pati reagime të ashpra edhe nga shoqëria civile, politikanë, e personalitete të tjera.

Qindra mijëra komente janë bërë kundër Vuçiqit, duke shkruar se “Kosova është Shqipëri”.

Ndërkaq, Vuçiq mbi fotografinë të cilën e ka postuar në Instagram ka shkruar se “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.

Këtë ai e ndërlidh me trazirat e marsit të 2004-ës ku mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe 8 serbë derisa qindra të tjerë u lënduan.

Vuçiq, këtë e ka quajtur si masakër ndaj serbëve të Kosovës./Telegrafi/