Berlusconi dhe Galliani kanë gati “bombën” e merkatos, dyshja e Monzës pas ish-sulmuesit të Barçës!

Monza do të luajë në këtë sezon për herë të parë në Serie A ndërsa Silvio Berlusconi dhe Adriano Galliani po mundohen ta bëjnë sa më të paharrueshme këtë eksperiencë. Monza është aktualisht një nga klubet më aktive sa i takon merkatos në Itali teksa deri më tani administratori Galliani ja ka dalë të bindë emra si Mateo Pessina, Stefano Sensi, Andrea Ranochia apo edhe portieri Cragno.

Por, asgjë nuk ka përfunduar duke qenë se goditja e madhe pritet të jetë në repartin e avancuar. Emrat që qarkullojnë deri më tani janë ato të Mauro Icardi, Edinson Cavani dhe Edin Dzeko. Por, së fundmi në skenë ka dalë edhe Luis Suarez. Sulmuesi mbylli aventurën me Atletico Madrid dhe është një lojtar i lirë. Uruguajani ishte pranë firmës me River Plate, por në momentin që argjentinasit mbetën jashtë Copa Libertadores, 35-vjeçari nuk i konsideroi më si opsion.

Tashmë, Suarez i është rikthyer dëshirës për të qëndruar në Europë dhe Monza mund të shndërrohet në një opsion real. Sipas Sportitalia, Galliani dhe Suarez kanë biseduar në ditët e fundit dhe Monza është e gatshme t’i ofrojë Suarez një kontratë nga e cila do të përfitonte pesë milionë euro në sezon.

Padyshim që do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme nëse Berlusconi dhe Galliani transferojnë në Itali ish-futbollistin e Barcelonës, teksa dyshja na ka mësuar shpesh në të kaluarën se për ta nuk ka asnjë lojtar të paarritshëm.