Bislimi kthehet në Kosovë: S’dola nga vetura, kërcënimi ishte shpikje





Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi ka hyrë në territorin e Kosovës, në pikën kufitare të Merdares, pasi iu ndalua qëndrimi në Serbi nga policia serbe me arsyetimin se ka një kërcënim ndaj sigurisë së tij.

Bislimi do të merrte pjesë në një konferencë në Beograd, ndërkaq është kthyer prapa disa dhjetëra kilometra para se të mbërrinte në cak.

Pas kthimit, Bislimi ka thënë se nuk beson që ka pasur ndonjë kërcënim real, por sipas tij kjo ka qenë një arsyetim i shpikur për ta pamundësuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë konferencë.

“Nuk mendoj që ka pasur rrezik për siguri, mendoj që ka qenë krejt e shpikur. Ishte vetëm sa për ta penguar pjesëmarrjen tonë që ta themi të vërtetën tonë. E njëjta polici që na ka shoqëruar deri në afërsi të Beogradit nuk ka pasur ndonjë informatë për cenim të sigurisë, por pastaj ka ardhur një veturë tjetër, që ka pasur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk ka dalë nga vetura për asnjë moment dhe ka shtuar se gjatë kthimit ka vërejtur lëvizje më të ngadalshme të veturave.
“Unë nuk kam dalë nga vetura, por s’kam pasur ndonjë vërejtje apo ankese nga ana e zyrës ndërlidhëse. Ne nuk jemi ndier të kërcënuar, ne do ta vazhdonim rrugën, por nuk mund ta vazhdonim para vlerësimit të autoriteteve”, ka thënë tutje ai.

“Do të përpiqemi që nesër të kyçemi në forumin e sigurisë përmes Zoom ose Skype dhe i kërkoj falje korit diplomatik, shoqërisë civile, organizatorëve për pamundësinë e pjesëmarrjes dhe me tregu këndvështrimin tonë”, ka deklaruar ai.