“Blerja e Twitter-it nga Musk ka hapur kutinë e Pandorës”?





Menjëherë pasi Elon Musk-u mori kontrollin e Twitter-it, disa personalitete konservatore nuk humbën kohë për të hyrë në platformë dhe për të riqarkulluar teoritë konspirative në një përpjekje për të “testuar” nëse politikat e Twitter-it për dezinformim ishin ende duke u zbatuar.
Ndërsa asnjë ndryshim i menjëhershëm i politikave nuk ishte njoftuar deri të premten pasdite, kjo nuk i ndaloi përdoruesit të brohorasin – ose të kritikonin – atë që ata presin të jetë një përqafim i shpejtë i premtimeve të Musk-ut për të shkurtuar moderimin në emër të promovimit të fjalës së lirë.

Në një postim në Twitter të premten pasdite, zoti Musk tha se Twitter-i do të formojë një “këshill për moderimin e përmbajtjes me këndvështrime gjerësisht të ndryshme” dhe “asnjë vendim i rëndësishëm i përmbajtjes ose riaktvizimit të llogarive nuk do të ndodhë përpara se të mblidhet ai këshill”.
Por gjatë pjesës më të madhe të ditës, ata që përqafuan thirrjen e Musk-ut për ta bërë Twitter një strehë të “fjalës së lirë” ishin të etur për të parë cakun se deri ku mund të shkonin.

Ekspertët e njohur të krahut të djathtë postuan në Twitter fjalë të tilla si “ivermectin” dhe “Trump fitoi” për të parë nëse do të penalizoheshin për përmbajtjen. Ivermectin, një ilaç i lirë që vret parazitët tek njerëzit dhe kafshët, është promovuar nga disa ligjvënës republikanë dhe drejtues konservatorë të emisioneve si një mënyrë efektive për të trajtuar COVID-19. Por ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se ka prova të pakta për të mbështetur besimin se ilaçi funksionon.

Në një letër që synon të qetësojë frikën e reklamuesve, zoti Musk u zotua të enjten se Twitter-i nuk do të jetë “një peizazh ferri i lirë për të gjithë, ku mund të thuhet çdo gjë pa pasoja”.

Por është ende e paqartë se çfarë do të ndodh me platformën e mediave sociale – dhe çfarë do të tolerohet. Vëzhguesit po vëzhgojnë të shohin se kush do të qëndrojë, kush do të largohet dhe kush mund të kthehet potencialisht nga lista e njerëzve që platforma i ka ndaluar ndër vite. Ato variojnë nga Donald Trumpi, te teoricieni i konspiracionit Alex Jones dhe ish-udhëheqësi i Ku Klux Klan, David Duke – asnjëri prej të cilëve nuk është kthyer në platformë deri më tani.

Agjencia Associated Press kontrolloi të paktën 12 llogari të tjera në Twitter që ishin pezulluar nga platforma – duke përfshirë ato të përdorura nga aktivisti i krahut të djathtë James O’Keefe dhe shefi ekzekutiv i MyPillow, Mike Lindell – dhe secila shfaqi mesazhin “llogari e pezulluar” deri të premten pasdite.

“Jam shumë i lumtur që Twitter tani është në duar të shëndosha dhe nuk do të drejtohet më nga të çmendurit e majtë radikalë dhe maniakët që e urrejnë vërtet vendin tonë”, tha zoti Trump të premten në mëngjes në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, duke mos lënë asnjë tregues nëse do të kthehej në platformë apo jo edhe pse Musk-u ka thënë se do ta lejonte.

“E DUA TË VËRTETËN!”, tha ai, duke shtuar se Twitter-i do të jetë “më mirë” nëse arrin të heqë qafe robotët dhe llogaritë e rreme “që e kanë lënduar aq keq”.

Më herët gjatë ditës, mediat raportuan se Kanye West, reperi i njohur ligjërisht si Ye, dukej se ishte kthyer në Twitter pasi llogaria e tij u mbyll në fillim të këtij muaji pas postimeve të tij antisemitike në platformën e mediave sociale.

Por nuk kishte asnjë provë që të sugjeronte se statusi i llogarisë së tij kishte ndryshuar ose se zoti Musk luajti një rol dhe nuk kishte asnjë shenjë të aktivitetit të fundit.
Twitter-i nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nëse Ye ishte kthyer në platformë.

Reperi dhe stilisti ishte pezulluar edhe nga Instagrami, ku llogaria e tij atje ishte rikthyer së fundmi.
Ndërkohë, dhjetëra profile ekstremiste – disa të krijuara rishtazi – postuan sharje racore dhe imazhe naziste, ndërsa shprehnin mirënjohje ndaj Musk-ut për udhëheqjen e tij të re.

Një tjetër llogari anonime shkroi në Twitter: “Elon tani kontrollon Twitter-in, lëshon sharjet racore”, së bashku me disa komente përçmuese.
“Blerja e tij e Twitter-it ka hapur kutinë e Pandorës”, tha grupi Ultraviolet në një deklaratë të përgatitur të premten, duke i kërkuar gjithashtu Musk-ut, drejtuesit të Twitter-it dhe bordit të drejtorëve të kompanisë që të vazhdojnë të zbatojnë ndalimin e Trumpit nga platforma, si dheekstremistët e krahut të djathtë dhe supremacistët e bardhë.”

Disa përdorues reaguan ndaj lajmit duke kërcënuar se do të largoheshin, dhe të tjerë u vunë në lojë për këtë. Termat “Elon” dhe “fshirje” u shfaqën si fjalët kryesore që qarkullonin në Twitter të premten ndërsa përdoruesit diskutuan pasojat. Spekulimet përshkuan gjithashtu platformën.

Disa shqetësoheshin se numri i ndjekësve të tyre në Twitter po binte, duke teorizuar se Twitter-i mund të ishte duke pastruar llogaritë robotë. Përdorues të tjerë postuan raporte të paverifikuara se numri i “pëlqimeve” të tyre po pakësohej.
“Elon Musk bleu një platformë, ai nuk bleu njerëz”, tha Jennifer Grygiel, një eksperte e mediave sociale dhe profesore në Universitetin e Syracuse-s. “