Deklarohet Xhavit Haliti pasi votoi Konjufcën për kryetar Kuvendi!

Xhavit Haliti është i vetmi deputet nga Partia Demokratike e Kosovës që ka votuar pro zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit.

Haliti në një deklaratë për Telegrafin ka treguar arsyet se pse ka votuar pro zgjedhjes së tij.

“S’kam bërë një vepër heroike e as tradhti kombëtare. Ne duhet të flasim e të bashkëpunojmë në politik-bërje, veçanërisht tani në sfidat që na presin. Përderisa i takon VV-së pozita e Kryetarit të Kuvendit me Kushtetutën e Kosovës përse të mos e votoj unë nëse elektorati i ka votuar”, deklaroi ai.

Ndryshe, pro Konjufcës kanë votuar 69 deputetë kurse kundër zgjedhjes së tij votuan 33 deputetë.

Në fjalimin e tij të parë, Konjufca u zotua se do të jetë kryetar i të gjithëve.

“Falënderoj deputetët që më votuan. Zotohem që do ta kryej detyrën time me nder e përgjegjësi dhe përkushtim. Për mua s’do të ketë deputetë të kësaj apo asaj partie, por deputet të barabartë. Të gjithë së bashku në emër tuajin falënderojmë qytetarët e Kosovës. Na prift e mbara në punët që na presin dhe me këtë rast e shpall të mbyllur legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës, kurse për seancën e zgjedhjes së qeverisë do të ju lajmëroj me kohë”, ka thënë Konjufca.

Konjufca tashmë ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e tij si kryetar nga ish-kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. /Telegrafi/