Dështon takimi i planifikuar për sot në mes të Kurtit dhe Vuçiq, kjo thuhet të ketë qenë arsyeja

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian patën paralajmëruar një takim të mundshëm në kuadër të drejtuesve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Madje si datë e mundshme për takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ishte 19 korriku, apo dita e sotme.

Por pavarësisht paralajmërimeve, një gjë e tillë nuk u bë.

Takimi i paraparë në mes Kurtit dhe Vuçiq ka dështuar, transmeton lajmi.net.

Madje kjo u konfirmua dje edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Gjatë raportimit të djeshëm në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi theksoi se ky takim ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së Vuçiq që të shkojë në Bruksel.

“Ideja e takimit trilateral ka qenë që të përgatitet tereni për takimin e radhës mbase këtë javë, nesër në mes të krerëve të shtetit. Po ashtu kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së Vuçiq-it që të shkojë në Bruksel”, tha ai.

Bislimi shtoi se Kurti u tregua i gatshëm që sa më shpejtë të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, por Vuçiq nxori si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit.

“Po ashtu kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së Vuçiqit që të shkojë në Bruksel, Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejt të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, mirëpo Vuçiq ka nxjerrë si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”, tha ai.

Madje Bislimi tha se Serbia është duke tentuar që të sabotojë dhe minojë procesin e dialogut.

Ndryshe kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar vetëm dy herë, kurse takimi i tretë joformal e patën muaj më parë në Berlin

Kryeministri Kurti që në fillim të marrjes së mandatit të tij pati deklaruar se dialogu në mes dy vendeve nuk është në top prioritetet e tij, por pavarësisht kësaj në kuadër të marrëveshjeve Kosovë-Serbi pati disa ndryshime së fundi.

Një nga marrëveshjet e arritura ishte ajo e energjisë, që në proces ishte ndër vite por tani u nënshkrua për t’u finalizuar në kuadër të pagesës së faturave të energjisë elektrikë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.