Dogana e Kosovës tregon pse është rritur importi nga Serbia

Importi nga Serbia gjatë vitit të kaluar është rritur në 305 milion euro, krahas 174 milion sa ishte në vitin e kaluar.

Sipas Doganës së Kosovës, kjo ka ndodhur për shkak se importi i vitit 2020 është ndikuar nga masa mbrojtëse dhe reciprociteti që kanë ndikuar në rënie të importit në pjesën e parë të vitit 2020, sikur që ka ndikuar edhe pandemia.

“Sot në disa media është publikuar një artikull në lidhje me importin dhe eksportin në mes Serbisë dhe Republikës së Kosovës. Në artikull ka pasaktësi të mëdha dhe vendosje të shtrembëruar të fakteve”.https://central.gjirafa.com/renderer.html?v=1.1

“Është e vërtetë se importi nga Serbia është 305 milion euro krahas 174 milion në vitin e kaluar, por duhet të kemi parasysh se importi i vitit 2020 është ndikuar nga masa mbrojtëse dhe reciprociteti që kanë ndikuar në rënie të importit në pjesën e parë të vitit 2020, sikur që ka ndikuar edhe pandemia”.

Krahasimi më real sipas Doganës është krahasimi i periudhës së pandikuar nga masat e veçanta në periudhën Janar-Nëntor 2018 me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

“Nga aty vërejmë se mallrat e importuara nga Serbia në periudhat e krahasuara kanë shënuar rënie të sasisë së importit për 37.46%, ndërkaq në vlerë ka rënie për 27.58% edhe pse tregu i gjithmbarshëm i importit ka shënuar rritje në vlerë prej mbi 41% në vitin 2021, andaj rënia reale është rreth 38%”.

“Nëse e krahasojmë me vit të plotë duhet të kthehemi në vitin 2017 i cili nuk ka qenë i ndikuar nga masa mbrojtëse dhe aty vërejmë se vlera e importit në tregun e Kosovës të mallrave serbe ka qenë 450 milion euro apo 36.8% më shumë sesa vlera e importi dhe vlera e rritjes në vitin 2021”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.

Më tej, në reagim thuhet se “duhet të theksojmë se në Kosovë tregu nga importi ka shënuar rritje për mallrat e Shqipërisë të cilat zënë 6% të tregut të importit apo në vlerë prej 285 milion Euro, e që nëse e krahasojmë me mallrat e Serbisë, në vitin 2015 ky proporcion ka qenë pothuaj qind për qind më i vogël, pasi që nga Shqipëria kemi importuar mall në vlerë prej 143 milion euro ndërsa nga Serbia në vlerë prej 372 milion në 2015, apo që ka përbërë më shumë se 10 % të tregut nga importi, ndërsa sot të dyja këto vende furnizojnë rreth 6% të tregut nga importi”.

“Sa i përket eksportit nga Kosova, shifra e raportuar prej 2 milion eksporte është krejtësisht e pasaktë dhe kjo përfaqëson vetëm vlerën e mallrave ri-eksport nga procedura e përpunimit”.

Vlera e vërtetë e eksportit të Republikës së Kosovës drejt Serbisë sipas Doganës ka qenë 42 milion Euro apo 47% më shumë se vitin 2020, e cila ka qenë në vlerë prej 28 milion euro ose në vitin 2015 e cila ka qenë në vlerë prej 27 milion.

“Andaj konstatimi më real është se eksportet e Kosovës kanë shënuar rritje drejt Serbisë prej mbi 40% nga trendi i rregullt që ka qenë stabil rreth 28 milion në vitet e me hershme”.

Dogana e Kosovës bën të ditur se, në rritjen e shifrave të importit në gjendjen e tanishme ka ndikuar edhe luftimi efikas i kontrabandës nga autoritetet e zbatimit te ligjit.

“Vetëm tek gjedhet e gjalla gjatë vitit 2021 kemi të deklaruar sasi në vlerë prej 8.7 milionë euro e qe është për 3.4 milionë euro me i larte krahasuar me vitin 2020, sikurse që ka pasur deklarim të pijeve, alkoolike dhe uthulla për 4.5 milionë euro me shume sesa vitit 2020. Nuk ka pasur rënie të importit të produkteve të njëjta nga tregjet tjera, andaj është lehtësisht e kuptueshme se rritja e formalitetit ka ndikuar në rritjen e vlerës së importit që në periudha të më hershme ka qenë i kontrabanduar”.

“Rikujtojmë opinionin dhe mediat se Dogana e Kosovës është institucion publik dhe ka për detyrë që të njoftoj drejt publikun e gjerë, andaj kërkojmë nga të gjitha mediat që faktet që i pranojnë nga bashkëpunimi me Doganën e Kosovës, t’i vendosin në kontekst të drejtë, në mënyrë që mos të lajthiten qytetarët, të cilët nuk kanë qasje mbi të gjithë informacionin që merr një gazetar nga mediat, për të krijuar perceptimin e qartë sa i përket tregtisë së jashtme të Republikës së Kosovës”./SHQIP