Pas përfundimit të mbledhjes së nënshkrimeve mbështetëse, lista e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” është dorëzuar në Komisionin Zgjedhor Republikan për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, raporton Spektri.
Lajmin e ka bërë të ditur Shaip Kamberi, i cili ka falënderuar aktivistët e subjekteve politike për angazhimin dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për mbështetjen.
Në njoftimin e tij, Kamberi ka theksuar se përballja me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve duhet të shërbejë si pikë bashkimi, pavarësisht dallimeve politike.
“Në një kohë kur shumë gjëra na ndajnë, lufta kundër diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve duhet të na bëjë bashkë”, ka deklaruar ai.
Sipas Kamberit, bashkimi në një listë, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, synon që zëri i shqiptarëve të Luginës të dëgjohet më fuqishëm në Parlamentin e Serbisë.
Ai është shprehur se në këto zgjedhje ekziston një mundësi reale për të siguruar më shumë se një mandat deputeti, duke bërë thirrje që kjo mundësi të shfrytëzohet përmes angazhimit të përbashkët.
“Kësaj here kemi mundësi reale që të përfaqësohemi me më shumë se një deputet. Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum”, ka theksuar Kamberi.
Duke iu referuar mundësisë së ndryshimeve të mëdha politike në Serbi, ai ka vlerësuar se qëndrimet dhe çështja e diskriminimit ndaj shqiptarëve duhet të jenë tema që nuk mund të anashkalohen lehtë.
Dorëzimi i listës vjen pas marrëveshjes së 29 shtatorit, të arritur në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërmjet tetë subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja: PVD, APN, PD, PDSH, LPD, LR, AL dhe UDSH.
Pas kësaj marrëveshjeje, më 2 tetor nisi grumbullimi i nënshkrimeve mbështetëse. Me përfundimin e këtij procesi dhe dorëzimin e dokumentacionit, lista tashmë i është paraqitur Komisionit Zgjedhor Republikan për shqyrtim.