Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vizitoi mbrëmjen e djeshme ekipin Kombëtar, i cili po vijon përgatitjet për ndeshjet e radhës në UEFA Nations League.
Gjatë takimit me futbollistët dhe stafin teknik, Duka kërkoi përkushtim maksimal, përqendrim dhe punë të përbashkët, duke theksuar rëndësinë që ky grumbullim të nisë me seriozitet që nga dita e parë.
Duke folur për sfidën e parë ndaj Bjellorusisë, presidenti i FSHF-së deklaroi se Kombëtarja synon vendin e parë në grup, por paralajmëroi se asnjë rezultat nuk mund të merret si i mirëqenë.
“Objektivi ynë është i qartë, duam të dalim në vendin e parë, por vendi i parë nuk vjen vetë. Favorit bëhesh në fushë dhe ndeshjen e fiton me angazhim maksimal”, u shpreh Duka.
Ai theksoi se të gjitha ekipet e grupit synojnë një fillim të mbarë, prandaj lojtarët kuqezi duhet të tregojnë seriozitet në çdo stërvitje dhe në çdo moment të grumbullimit, gjatë të cilit Kombëtarja do të zhvillojë katër ndeshje.
Duka u ndal edhe te fryma e grupit, të cilën e cilësoi si një nga pikat më të forta të Kombëtares shqiptare ndër vite.
“Forca jonë ka qenë gjithmonë fryma e skuadrës, puna e përbashkët dhe atmosfera pozitive. Energjia pozitive sjell rezultate pozitive. Kemi lojtarë me shumë përvojë dhe futbollistë të rinj, ndaj duhet të krijojmë një ndërthurje të mirë brenda grupit”, deklaroi ai.
Në fund, presidenti i FSHF-së uroi lojtarët dhe stafin për sfidat e ardhshme, duke kërkuar karakter, përkushtim dhe përqendrim maksimal për realizimin e objektivit.
“Me energji pozitive, përqendrim dhe angazhim maksimal mund të arrijmë të dalim të parët. Shpresojmë të festojmë ndaj Bjellorusisë dhe të udhëtojmë më të gëzuar drejt ndeshjeve të tjera”, përfundoi Duka.