Durmishi: Kemi gjetur shumë shkelje e projekte të bllokuara, i kemi dorëzuar në Prokurori

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se i ka dorëzuar disa lëndë në Prokurori për shkelje me kontrata nga qeveritë e kaluara, derisa ka shtuar se “rastet e shkeljeve flagrante janë të shumta”.

Ai ka deklaruar në emisionin “Konfront” në KTV të enjten se një prej shkeljeve të rënda ishte një kontratë për mirëmbajtjen e urave në Kosovë, që ishin ndarë 500 mijë euro për realizimin e saj, por kishte përfunduar në 5.5 milionë euro.

Sipas Durmishit, shkeljet janë të shumta, ndërsa ka thënë se projektet e Qeverisë Kurti kanë nisur që nga 2023-a.

“Kur kemi filluar qeverisjen në mars të 2021-s, në Ministrinë tonë i kemi gjetur të gjithë projektet e bllokuara. Puna e parë që kemi bërë ka qenë zhbllokimi i 20 projekteve. Viti 2021 ka qenë vit ku është punuar mjaft, ka pasur projekte e kontrata që janë nënshkruar me shumë probleme e vështirësi për t’u zgjidhur. Kanë qenë 20 aneks-kontrata që kanë qenë në Zyrë të prokurimit që i kanë kryer procedurat, por s’janë nënshkruar”, ka deklaruar ai.

Durmishi u shpreh se Auditori kishte rekomanduar që 18 kontratat të lëvizin tutje pasi ishin korrekte, e 2 të shqyrtohen edhe më shumë. 2022-a, sipas zëvendësministrit, ishte vit i rëndë për shkak të krizës globale. Ai ka thënë se ka pasur vonesë në kryerjen e punëve për shkak se operatorët punonin me humbje.

“Viti 2022 ka qenë vit i vështirë për shkak se ka pasur probleme të mëdha në gjithë botën, ka pasur rritje çmimesh që kanë ndikuar në punët e operatorëve. Kur është një situatë si në vitin e kaluar, është vështirë edhe për operatorët t’i mbulojnë shpenzimet, duhet të punojnë me humbje. Patëm filluar procedurën për të kaluar ligjin për procedurën publike, por ka kaluar me vonesë sepse procedurat janë zgjatur dhe tash në vitin 2023 i kemi bërë të gjitha përgatitjet që kontratat të realizohen. Ky është viti kur kemi filluar me projekte tona, deri tani kanë qenë projekte të kaluara”, ka thënë ai.

Zëvendësministri ka shtuar se janë marrë masat që projektet e sivjetme të mos kenë zvarritje./Koha.net