Davor Macura, drejtues i Bordit të ALTA Bankës, dyshohet se ka nxjerrë para nga thesari i bankës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 45 miliardë dinarë. Kështu raporton Nova.rs, duke iu referuar njoftimit të prokurorisë pas arrestimit të tij.
Ndërkohë, portali ka publikuar përmbajtjen e kallëzimit penal të avokatit Ivan Niniq ndaj Macurës, nëntë anëtarëve të organeve drejtuese të bankës dhe personave përgjegjës në Bankën Popullore të Serbisë (NBS).
Sipas kallëzimit, nga 26 tetori janë përshpejtuar transferimet e mjeteve drejt subjekteve të lidhura në Moskë dhe Shkup, duke rrezikuar likuiditetin e bankës dhe sigurinë e depozitave.
Niniq pretendon se NBS nuk ndërmori kontroll urgjent pas paralajmërimit të tij më 27 tetor. Sipas dokumentit, banka qendrore reagoi publikisht të nesërmen, duke i cilësuar pretendimet të paverifikuara dhe duke thënë se transfertat kryheshin sipas rregullave.
Avokati kërkon hetim urgjent dhe sigurimin e dokumentacionit të transfertave ndërkombëtare. Nova.rs raporton se Macurës i është caktuar ndalim deri në 48 orë, ndërsa ALTA Bankës i është hequr licenca dhe ka hyrë në falimentim.
Pretendimet në kallëzim mbeten për t’u hetuar; ato nuk përbëjnë fajësi të provuar me vendim gjyqësor. /Spektri