Elon Musk emëron shefen e re të Twitterit

Elon Musk ka emëruar Linda Yaccarinon, ish-shefen e reklamave në NBCUniversal, si shefe të re ekzekutive të Twitterit, shkruan BBC të premten.

Ajo do të fillojë punën në këtë platformë sociale për rreth gjashtë javë.

Konfirmimi erdhi pasi NBCUniversal ka njoftuar se Yaccarino po largohej “menjëherë në fuqi”, pas 12 vjetësh me kompaninë mediatike.

Musk kishte postuar një ditë më parë se kishte gjetur një shef të ri për Twitterin, por nuk e zbuloi identitetin.

Musk – i cili bleu platformën e mediave sociale vitin e kaluar për 44 miliardë dollarë – ishte nën presion për të gjetur dikë tjetër për të udhëhequr kompaninë dhe për të ripërqendruar vëmendjen në bizneset e tij të tjera, të cilat përfshijnë prodhuesin e veturave elektrike Tesla dhe kompaninë e raketave SpaceX.

Musk ka thënë se do të mbetet i përfshirë në Twitter si kryetar ekzekutiv dhe shef i teknologjisë.

Në NBCUniversal, Yaccarino mbikëqyri afërsisht 2 mijë njerëz dhe u përfshi në lansimin e shërbimit të transmetimit.

Ajo iu bashkua kompanisë në vitin 2011, pas 15 vjetësh në Turner Entertainment dhe është vlerësuar me sjelljen e operacionit të shitjeve të reklamave të rrjetit në të ardhmen digjitale.

Yaccarino do të sjellë në Twitter një sfond të pasur të reklamave, te të cilat kompania e mediave sociale mbështetet për të fituar para dhe e cila ka rënë ndjeshëm që nga marrja në pronësi nga Musku.

Shumë kompani të mëdha ndaluan shpenzimet në Twitter në javët pasi Musk mori përgjegjësinë, të shqetësuar se si markat e tyre mund të ndikoheshin nga ndryshimet që ai po bënte.

Musku shkarkoi menjëherë mijëra njerëz, duke përfshirë ata që ishin ngarkuar të merreshin me postime abuzive./Koha.net