Haxhiu përmend edhe ish-ministren Hoxha në rastin “Dehari”





Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e sotme të Kuvendit ka deklaruar se rasti “Dehari” është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale, ndërsa ka bërë të ditur se së fundmi ka urdhëruar një inspektim në raport me atë se cilat kanë qenë detyrat e personave përgjegjës atë ditë.

Bazuar në raportin e inspektimit, Haxhiu ka thënë se të gjeturat kanë të bëjnë më shkelje të rëndë të detyrave të personave zyrtarë atë ditë.
Ministrja ka deklaruar se gjetja kryesore është që kamerat e sigurisë janë marrë para se t’i shihte policia, ndërsa ka shtuar se zyrtarët e MD-së e kanë informuar se kjo është bërë me urdhër të ministres së asaj kohe, Dhurata Hoxhës.

“Gjetja kryesore është që kamerat janë marrë para Policisë, që është shkelje penale, ato kanë mundur të shihen pas Policisë, por jo të merren. Sipas informacionet që unë kam marrë nga zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë më janë thënë që këto janë bërë më urdhër të Dhurata Hoxhës, ish-ministre e drejtësisë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shtuar se personat që janë suspenduar duhet ta thonë para Prokurorisë Speciale, pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë dhe kush i ka urdhëruar ata.

“Personat që janë suspenduar tash nga komisioni hetimor duhet ta thonë këtë para prokurorisë speciale, pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë dhe kush i ka urdhëruar ata, a është e vërtetë që për ketë ka urdhëruar ministrja Dhurata Hoxha dhe nëse po atëherë barra bie tek Dhurata Hoxha”.