Këshilli Kombëtar Shqiptar themelon Institutin për Kulturë Shqiptare

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka miratuar themelimin e Institutit për Kulturë Shqiptare, një institucion i ri që do të merret me ruajtjen, studimin, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe identitare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak.

Vendimi u miratua në seancën e Këshillit me 10 vota pro dhe asnjë votë kundër, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e institucioneve kombëtare shqiptare në Serbi.

Sipas vendimit të miratuar, Instituti do të ketë për detyrë dokumentimin, hulumtimin dhe promovimin e vlerave kulturore e historike shqiptare, si dhe zhvillimin e projekteve dhe aktiviteteve që synojnë ruajtjen e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve në rajon.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, e cilësoi këtë vendim si një arritje me rëndësi të veçantë, duke theksuar se për herë të parë po krijohet një mekanizëm i specializuar që do të punojë në mënyrë profesionale për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare.

Në seancë munguan pesë këshilltarët e APN-së, të cilët nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Themelimi i Institutit për Kulturë Shqiptare konsiderohet një investim afatgjatë në ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë dhe kulturës së shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke krijuar një bazë institucionale për hulumtimin dhe promovimin e vlerave kombëtare për brezat e ardhshëm. /Spektri