KKSh kërkon në Beograd rikthimin e policisë multietnike dhe ndërhyrjen e OSBE-së për pasivizimin e adresave!

Këshilli Kombëtar Shqiptar kërkoi sot në Beograd rikthimin e programit të policisë multietnike, rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në polici dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Komisarit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare në çështjen e pasivizimit të adresave.

Kërkesat u paraqitën nga përfaqësuesi i KKSh-së, Alban Alili, gjatë një konference ndërkombëtare të organizuar nga Misioni i OSBE-së, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Zyra e Komisarit të Lartë për Pakicat Kombëtare. Konferenca shënoi njëzetvjetorin e rekomandimeve për punën e policisë në shoqëritë multietnike.

Në fjalën e tij, Alili ngriti shqetësimin se, pavarësisht marrëveshjeve dhe zotimeve për integrim, numri i shqiptarëve të punësuar në polici ka shënuar rënie.

Sipas të dhënave të përmbledhura në raportin e KKSh-së, nga 239 policë shqiptarë të evidentuar gjatë periudhës 2010–2012, numri ka rënë në 152, bazuar në një vlerësim jozyrtar për fundin e vitit 2025. Në Bujanoc, numri i policëve shqiptarë ka rënë nga 107 në 56.

KKSh paralajmëroi se pensionimi i brezit të punësuar përmes programit multietnik, pa rekrutime të reja, rrezikon ta zvogëlojë edhe më tej përfaqësimin e shqiptarëve. Për këtë arsye, u kërkua që angazhimi i tyre të përfshijë edhe pozitat drejtuese dhe policinë kufitare.

Një tjetër çështje e ngritur ishte përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimin me policinë. Alili theksoi mungesën e përkthyesve profesionistë dhe kërkoi krijimin e vendeve të sistematizuara të punës për përkthyes në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Duke iu drejtuar Komisarit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, përfaqësuesi i KKSh-së kërkoi angazhim të drejtpërdrejtë për adresimin e pasivizimit të adresave. Kërkesat përfshijnë shqyrtimin e pavarur të rasteve të kontestuara, korrigjimin e vendimeve të padrejta dhe rikthimin e të drejtave të cenuara.

KKSh mirëpriti gjithashtu bashkëpunimin me OSBE-në dhe Drejtorinë për Trajnimin Policor në organizimin e takimeve me të rinjtë shqiptarë gjatë qershorit, duke kërkuar që këto aktivitete të vijojnë me përgatitjen e kandidatëve dhe pranime konkrete në polici.

“Pas një çerek shekulli marrëveshjesh dhe njëzet vjetësh rekomandime, shqiptarët kanë të drejtë të presin rezultate konkrete”, theksoi Alili.