Komisioni Zgjedhor Republikan shpall listën “Koalicioni Shqiptar”

Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë ka shpallur listën zgjedhore “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026, raporton Spektri.

Sipas njoftimit zyrtar të RIK-ut, vendimi është marrë në mbledhjen e 5 tetorit. Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe vendimi që “Koalicioni Shqiptar” të ketë statusin e listës zgjedhore të pakicës kombëtare.

Me këto vendime, lista e përbashkët e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja është shpallur zyrtarisht për pjesëmarrje në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Serbisë.

Lista ishte dorëzuar pas përfundimit të mbledhjes së nënshkrimeve mbështetëse, proces që nisi më 2 tetor.

Marrëveshja për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhje u arrit më 29 shtator, në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërmjet tetë subjekteve politike shqiptare: PVD, APN, PD, PDSH, LPD, LR, AL dhe UDSH.

Subjektet nënshkruese janë zotuar për mbështetjen e një liste të vetme dhe bashkërendimin e angazhimit për përfaqësimin e shqiptarëve të tri komunave në Parlamentin e Serbisë./Spektri