Komuna e Bujanocit ndihmon financiarisht BSK-në!

Këshilli Komunal i Komunës së Bujanocit ka aprovuar të enjtën kërkesën e Klubit të Futbollit “BSK” për ndihmë financiare.

Kërkesa e BSK-së nuk ishte publikuar paraprakisht si rend dite nga Këshilli Komunal, por me propozim të kryesuesit është futur si pikë e rendit të ditës.

Në fund me vota unanime nga anëtarët e këshillit është aprovuar edhe ndihma prej 150.000 dinarëve.

BSK, përveç ndihmës financiare që mori në fillim të sezonit nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tani ndihma shtesë i vie edhe nga Komuna e Bujanocit. Gjithashtu nga konkursi për finansimin e programeve dhe projekteve vjetore në sport, BSK kishte përfituar 850.000 dinarë

Faqja zyrtare e komunës së Bujanocit, pas përfundimit të Këshillit Komunal të enjtën ka publikuar një njoftim rreth pikave të aprovuara, por duke mos e përmendur askund këtë kërkesë./Spektri