Konkurset e bukurisë, Miss Albania rrënqeth me rrëfimin e saj: Në prapaskenë ndodhin gjëra të tmerrshme!





Bukuroshja Ina Dajçi është shpallur “Miss Universe Albania” në gusht të vitit 2021. Këto ditë ajo ka folur në Instagram për eventet duke thënë se në këto konkurse ndodhin gjëra të tmerrshme. Kjo thënir është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Ina foli sot pasdite në Tch, ku sqaroi këtë deklaratë dhe tregoi se çfarë gjërash të tmerrshme nënkuptonte.

Në prapaskena, tjetër gjë thuhet, tjetër gjë ndodh, u shpreh ajo, ndërsa theksoi se ndaj vajzave ushtrohet shumë presion dhe u kërkohet perfeksioni.

“Vajzat në konkursin në Miss Universe në Izrael ishin shumë të shqetësuara për pamjen e tyre. Disa ishin me plagë të freskëta të ndërhyrjeve. Atyre u ushtrohet një presion shumë i madh, për të qenë perfekte.

Presioni bëhet nga njerëz që komentojnë, por dhe njerëzit që janë aty. Ushtrojnë presion në mënyrë shumë të dhimbshme”, thotë Ina.

Ndërsa shton: “Ju tregoj dhe një nga eksperiencat e para, pasi fitova në Shqipëri. Një nga gjërat që na kërkuan në fillim ishte një video ku ti tregon si do ta përdorësh platformën e Miss Universe. Jam pjesë e një misioni humanitar në Neë York. Kisha bërë një video ku isha veshur me një kostum me motive shqiptare. Kostumi im ishte i mbyllur dhe në momentin që ua tregova këtë video, një nga organizatorët më tha je shumë e zgjuar, por je shumë e mbyllur në videon tënde, nuk po na tregon asgjë”.

Kuptova që atyre nuk u interesonte mendja ime, thekson Ina Dajçi dhe vijon:

“U thashë që nuk jam konservatore, por në momentin që po flet për kriza humanitare, nuk mund të vishesh ndryshe. E gjitha që shihet atje është sa do të tregojë një vajzë nga hiret e saj. Mbaj mend që u ndjeva shumë keq”.

Më herët në Instagram 27 vjeçarja ishte shprehur: “Është një vend i tmerrshëm për vajzat në shekullin 21. Duket si shumë qejf. Dhe ndonjëherë është, por vajzave po u ndodhin dëme serioze në prapaskenë!”.

Miss Universe Albania është një konkurs kombëtar bukurie në Shqipëri. Konkursi u themelua si Miss Albania në 2002, deri në riemërtimin si Miss Universe Albania në 2006. Që nga viti 2021, fituesit e konkursit kanë konkurruar ndërkombëtarisht në Miss Universe, Miss Earth dhe Miss World.