Zotimi i kryeministrit Hoti për hapjen e Ambasadës në Jerusalem ka rezultuar me kritika të ashpra nga BE dhe Turqia, me analistët të cilët japan vërejtjen e tyre se ky vendim mund të shkaktojë probleme në përpjekjet e diplomacisë kosovare në të ardhmen.

Pas lajmit befasues të së premtes se Izraeli ka vendosur ta njohë Kosovën, Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se qeveria të cilën e udhëheqë ai është e “dedikuar” në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe hapjen e Ambasadës në Jerusalem.

Sidoqoftë, zotimi i ti për hapjen e Ambasadës në Jerusalem ka ngjallur përplasje në shkallë të gjerë, me Turqinë, Ligën Arabe dhe BE-në, të gjitha kundër këtij vendimi.

Duke folur para një takimi të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Hotit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq ditën e hënë në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se politika e jashtme e BE-së është e qartë sa i përket hapjes së ambasadave në Jerusalem.

“Asnjë shtet anëtar i BE-së nuk ka një ambasadë në Jerusalem, delegacioni i BE nuk është në Jerusalem,” ka deklaruar Stano. “BE ka ripohuar vazhdimisht zotimin tonë për një zgjidhje të negociuar dhe të implementueshme për dy shtete. Pjesë e kësaj zgjidhjeje dyshtetërore është gjithashtu një marrëveshje që ka të bëjë me çështjet e statusit final, [përfshirë] Jerusalemin. ”

Stano ka shtuar tutje se si një vend i cili e ka identifikuar anëtarësimin në BE si prioritetin e saj, nga Kosova pritet të respektojë këtë zotim të sajin. “Çdo hap diplomatik që mund të vë në pikëpyetje pozicionin e përbashkët të BE mbi Jerusalemin, është çështje shqetësuese serioze dhe për keqardhje,” tha zëdhënësi.

Ditën e diel, Ministria Turke e Punëve të Jashtme, MPJ, ka lëshuar një reagim të sajin ndaj deklaratës së Hotit, duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të respektojnë ligjin ndërkombëtar. “Është  zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, madje është marrë në konsideratë nga autoritetet e Kosovës,” thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

MPJ turke shtoi se rezoluta të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, KB, kanë vënë në pah se konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një Palestine të pavarur, me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.

“I bëjmë thirrje lidershipit të Kosovës që të veprojë në përputhje me këto rezoluta dhe të përmbahet nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin Kosovën që të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen,” thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Ambasada Turke në Prishtinë po ashtu ka publikuar një përkthim të deklaratës në gjuhën Shqipe në llogarinë e saj në Facebook, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, gjithashtu raportohet të ketë kritikuar këtë vendim në përputhje me shkeljen e  rezolutave ndërkombëtare.

Përmes një konference për media të hënën, Presidenti Hashim Thaçi ndërmori ca hapa për të zbutur frikën rreth marrëdhënieve miqësore të Kosovës me Turqinë të rrezikuara nga vendimi i fundit. “Unë kam qenë në kontakt me Presidentin Erdogan dhe e kemi diskutuar [çështjen] në telefon,” tha ai. “Kjo njohje nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në partneritetin miqësor dhe vëllazëror me Turqinë.”

Aidan Hehir, redaktor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit i specializuar në shtetndërtimin e Kosovës beson se vendosja e ambasadës në Jerusalem ishte çmimi që Kosova duhej të paguante për njohjen nga Izraeli.

“Kemi të bëjmë me një vendim potencialisht nxitës për Kosovën duke qenë se BE-ja e kundërshton një gjë të tillë, dhe po kështu edhe shumë prej aleatëve të Kosovës në rajon,” tha Hehir për Prishtina Insight. “Padyshim që ky vendim do t’i bëjë anëtarët e Ligës Arabe të mendojnë dy herë para se të merren me Kosovën, ndërkohë që për ato shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, kjo sjellje e nënshtruar do të minojë edhe më tej pretendimet e Kosovës për të qenë një shtet sovran.”

Sa i përket një panorame më të gjerë në nivel ndërkombëtar, Hehir nuk parashikon pasoja të menjëhershme por paralajmëron se kjo mund t’i vështirësojë përpjekjet diplomatike të Kosovës në të ardhmen. “Nuk e shoh ndonjë shtet që e tërheqë njohjen e saj ndaj Kosovës për shkak të kësaj, megjithëse pres se ky vendim do t’i bëjë ato të jenë më të kujdesshme në raport me Kosovën,” tha ai. “Ekziston një ndjenjë e përhapur ndërkombëtarisht se Kosova është një “koloni e ShBA-ve’ duke bërë çfarëdo që thotë Uashingtoni. Kjo vetëm se do t’i spikasë edhe më shumë këto ndjenja. “

Sepse në ëndrrat tuaja, çdo detaj ka rëndësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>