“Kukësi me karakter, tani s’ndalemi më”, Shqiprim Taipi u jep zemër verilindorëve

Fitorja kundër Egnatias ishte e treta këtë sezon në kampionat për Kukësin. Ky triumf riktheu entuziazmin në kampin verilindor, duke qenë se vinin pas asaj humbjeje të thellë 4-0 kundër Tiranës. Një nga më të mirët në fushë ndaj rrogozhinasve, i cili shënoi edhe golin e parë, ishte mesfushori Shqiprim Taipi.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, 24- vjeçari e konsideron një trepikësh mjaft me vlera, duke pasur parasysh se ishin të rënduar nga ana psikologjike. “Është e vërtetë që morëm një fitore shumë të rëndësishme ndaj Egnatias, për shkak se vinim nga një humbje kundër Tiranës. Për ne futbollistët ishte pak e vështirë ajo disfatë, por e treguam vlerën si skuadër, pasi kemi karakter.

Sa i përket golit, normal është një ndjenjë shumë e mirë kur shënon dhe ndihmon skuadrën. Gjatë javës trajneri ka punuar shumë me të gjithë futbollistët nga ana psikologjike, duke qenë se ishte e vështirë, pasi morëm një goditje të fortë në ndeshjen me Tiranën. Por, tani kjo gjë i përket së shkuarës”, u shpreh fillimisht mesfushori i verilindorëve në bisedën për gazetën.

TITULLI – Diferenca prej nëntë pikësh ndaj Tiranës nuk është pak, por gjithsesi për Taipin asgjë nuk është e pamundur. Ai beson se me afrimet e janarit, skuadra është më e fortë, prandaj shpreson për të marrë maksimumin e pikëve në vazhdim. “Në futboll nuk është asgjë e pamundur, por neve nuk na intereson se çfarë bëjnë ekipet e tjera.

E rëndësishme është që t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë. Edhe afrimet e reja na kanë bërë më të fortë, pasi kanë ardhur lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë në Superioren shqiptare. I kemi pritur mjaft mirë dhe mendoj se janë adaptuar edhe me stilin e lojës sonë”, theksoi më tej Shqiprim Taipi.

KASTRIOTI – Kundërshtari i radhës për Kukësin është Kastrioti, të cilin e kanë mundur dy herë gjatë këtij sezoni. Për Taipin nuk do të jetë e lehtë, sepse krutanët kanë ndryshuar shumë, por në fushë do të hyjnë vetëm për të fituar.

“I kemi mundur dy herë, por tani e dimë se është më e vështirë për të gjitha skuadrat, për arsye se ata kanë ndërruar trajner dhe kanë pasur sukses këto ndeshjet e fundit. Kemi respekt për Kastriotin, por ne patjetër që do të luajmë për të marrë vetëm fitoren”, përfundoi mesfushori, i cili është një nga titullarët fiks të Longos, teksa ka arritur të shënojë edhe dy gola këtë sezon.