Kurti dhe Koopman pajtohen se Kosova e ka vendin në BE

Bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati dhe Zëvendësministrin e Ekonomisë, Getoar Mjeku, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, që po shoqërohej nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në këtë takim, të dy ata kanë dhënë se Kosova vendin e ka në Bashkimin Evropian, njofton Klan Kosova.

Kryeministri e falënderoi Koopman për vizitën dhe për ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian për shtetin dhe qytetarët e Kosovës në këto 15 vite të fundit. Ai tha se për Kosovën anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.

Theksoi rëndësinë që ka Tregu i Përbashkët Rajonal për integrimin ekonomik të rajonit dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të tri marrëveshjeve që janë nënshkruar në Procesin e Berlinit. Me këtë rast, u nënvizua fakti që Kosova ishte e para që ratifikoi në parlament të tri marrëveshjet.

Pasi e njoftoi për progresin demokratik dhe ekonomik të shënuar në dy vitet e fundit, që po evidentohet në vazhdimësi edhe nga raportet kredibile ndërkombëtare, kryeministri tha se “në dhjetor të vitit të kaluar kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian kurse këtë vit kemi vendimet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kalimin e fazës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e që janë dëshmi e qartë e përkushtimit të Kosovës për integrim e progres”.

Koopman tha se Kosova është pjesë e familjes evropiane. Ai e përgëzoi Kosovën për reformat dhe theksoi nevojën e përshpejtimit të tyre dhe nevojën për të ndjekë integrimin ekonomik të rajonit dhe integrimin në tregun ekonomik të Bashkimit Evropian.