Kurti: Kosova meriton statusin e kandidatit për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e mbajtur nga Grupi i Ballkanit për Politika me temën ”Balkan Dialogues Initiative”, tha se Kosova e meriton statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti tha se pas sukseseve në KiE dhe lajmit për liberalizim të vizave, Kosova pritet ta marrë edhe pyetësorin për BE.

“Në konferencën e sotme, kryeministri foli edhe për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës në BE. Pas kalimit me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, tash së fundmi, raportit pozitiv për vendin të vitit të kaluar dhe vendimit të liberalizimit të vizave pas gjithë asaj vonese, kryeministri Kurti tha se Kosova po pret që të marrë edhe pyetësorin për BE, që do të konfirmonte që Kosova meriton statusin kandidat”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë, Kurti nuk la pa përmendur edhe dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen e Ohrit.

Ai tha se beson se Marrëveshja Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, sepse sipas tij, “bazohet në parime universale të barazisë së sovranëve, respektimit të integriteti territorial, pavarësisë, heqjen dorë nga kundërshtimet për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin i misioneve diplomatike me ambasadorë, njohja e simboleve shtetërore, vulave doganore, targave dhe e pasaportave”.

Në fund, ai tha se reformat e brendshme në sundimin e ligjit, progresi ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe suksesi në fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, konfirmojnë se Kosova po bën hapat e duhur në rrugën e drejt së ardhmes Evropiane./Dukagjini