Kush e la Radoiçiqin në liri? Dosja Banjska tashmë nën llupë në Serbi

Rasti Banjska: Po shqyrtohet pse Milan Radoiçiqit nuk iu caktua paraburgimi

Komisioni i Prokurorisë Supreme Publike të Serbisë po shqyrton veprimet në rastin e Milan Radoiçiqit, me vëmendje të veçantë ndaj rrethanave përse atij nuk iu caktua paraburgimi pas marrjes në pyetje për rastin Banjska. Kështu raporton portali serb Nova.rs, duke iu referuar burimeve të veta.

Sipas këtij mediumi, shqyrtimi po bëhet në kuadër të mbikëqyrjes së urdhëruar nga kryeprokurorja Zagorka Dollovac.

Në qendër të vëmendjes është kërkesa e prokurorit të atëhershëm të çështjes, Nikolla Pantelliq, i cili si bazë për paraburgimin e Radoiçiqit kishte përmendur vetëm rrezikun e arratisjes. Pantelliq ndërkohë është avancuar në krye të Prokurorisë së Lartë Publike në Pançevë.

Nova.rs shkruan se komisioni pritet të shqyrtojë edhe përse në kërkesë nuk ishin përfshirë baza të tjera të mundshme për paraburgim, si rreziku i përsëritjes së veprës, ndikimi te dëshmitarët dhe shqetësimi i opinionit publik.

Gjykata e kishte refuzuar kërkesën për paraburgim

Pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, prokurori kishte kërkuar paraburgim deri në 30 ditë. Gjykatësja e çështjes e kishte refuzuar kërkesën, duke vlerësuar se lidhjet personale, familjare dhe pasurore të Radoiçiqit me Beogradin, paraqitja vullnetare dhe dorëzimi i pasaportës mundësonin sigurimin e pranisë së tij përmes masave më të lehta.

Radoiçiqit iu ndalua largimi nga Serbia pa lejen e gjykatës, iu mor përkohësisht pasaporta dhe iu caktua detyrimi për paraqitje të rregullt në polici. Gjykata ia kishte ndaluar edhe shkuarjen në Kosovë, me paralajmërimin se shkelja e masave mund të çonte në paraburgim.

Radoiçiq kishte pranuar organizimin e grupit të armatosur

Më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan ndërmjet Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur u vranë edhe tre pjesëtarë të këtij grupi.

Pas ngjarjes, Radoiçiq, përmes avokatit të tij, kishte pranuar përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur, duke pretenduar se autoritetet në Beograd nuk kishin dijeni për veprimet e tij.

Sipas Nova.rs, udhëzimi i Dollovacit obligon të gjitha 87 prokuroritë në Serbi që komisionit të posaçëm t’i mundësojnë qasje në dosjet që kërkon. Moszbatimi i këtij udhëzimi përbën shkelje disiplinore.

Burimi: Nova.rs