Kush harxhon mbi 800 kWh do t’i shtrenjtohet rryma, këto do të jenë tarifat e reja

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar të martën tarifat e reja për energji elektrike. Departamenti për Tarifa në ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë.

Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat në orë.

Zyrtarë të këtij institucioni kanë përmendur se pas propozimit fillestar kanë marrë komente si asnjëherë më parë nga konsumatorët dhe organizata tjera.

“Të gjithë konsumatorët komercialë dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë do të kenë zero rritje”, është thënë në takim, duke përmendur se rreth 20 për qind e konsumatorëve e tejkalojnë këtë konsum.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat në orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Sipas ZRRE-së, bllok-tarifa nuk është diskriminuese pasi “zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë konsumatorët”.

Për bizneset nuk do të ketë blloqe tarifore.