Librat falas për nxënësit shqiptarë, KKSH: Procesi drejt përfundimit – prindërit të mos nxitojnë t’i blejnë

Këshilli Kombëtar Shqiptar është në përpjekjet e fundit për sigurimin e librave falas për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës, ka njoftuar sot kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi.

Në një njoftim drejtuar prindërve, Rexhepi ka kërkuar që ata të mos nxitojnë me blerjen e librave, duke bërë të ditur se po punohet që procesi të përmbyllet sa më shpejt.

“Jemi në përpjekjet e fundit për të përfunduar procesin e sigurimit të librave falas për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës. Prandaj, ju lutemi, mos nxitoni t’i blini librat”, ka njoftuar Rexhepi.

Sipas tij, Këshilli Kombëtar Shqiptar po punon në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës për realizimin e këtij procesi. Ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për sigurimin e mjeteve financiare, si dhe Shtëpinë Botuese “Albas” për bashkëpunimin.

Njoftimi i sotëm vjen në një kohë kur sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë këtë vit është përballur me vështirësi dhe vonesa, ndërsa viti i ri shkollor tashmë ka filluar.

Për këtë çështje, Rexhepi kishte reaguar edhe më 1 shtator, pikërisht në fillim të vitit shkollor, duke paralajmëruar për situatën me tekstet dhe përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje.

Njoftimi i sotëm sinjalizon se procesi tashmë mund të jetë pranë përfundimit, megjithëse ende nuk është bërë e ditur data konkrete se kur librat do të jenë në duart e nxënësve.

“Besojmë se shumë shpejt do të kemi një zgjidhje konkrete. Fëmijët tanë meritojnë libra falas dhe mësim në gjuhën shqipe. Për këtë do të angazhohemi deri në fund të këtij procesi”, ka deklaruar Rexhepi.

Mbetet që në ditët në vijim të bëhen të ditura hollësitë për përfundimin e procedurave dhe mënyrën e shpërndarjes së librave për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.