Liverpuli makth i Arsenalit, Klop: Të rikthejmë befasinë, skemën do ta zgjedh sipas rivalit





Liverpuli fitoi shumë komod ndeshjen e fundit të Championsit kundër Glasgou Rejnxhërsit të martën me skemën e re 4-4- 2, por nuk u testua në mbrojtje, atje ku Saka dhe Zhezus pritet t’i shqetësojnë në kryendeshjen e kësaj jave në Premier Ligë.

Pavarësisht se Arsenali vjen këtë herë si favorit, duke qenë se ka ndaluar vetëm njëherë këtë sezon dhe kryeson Premier Ligën, “Topçinjtë” kanë fituar vetëm 1 nga 14 përballjet e fundit në Premier Ligë kundër Liverpulit.

Londinezët mund të pësojnë humbjen e pestë radhazi në kampionat kundër “Reds”-ave për herë të parë në historinë e tyre.

Skuadra e Klopit është vetëm dy gola larg rekordit të shënimit të 300 golave në kampionat kundër Arsenalit, duke iu bashkuar në këtë rekord Mançester Junajtidit.

KLOP – Liverpuli vjen në superndeshjen e së dielës me vetëm 2 fitore në 5 ndeshjet e fundit dhe nuk ka pësuar gol vetëm në 2 nga 9 ndeshjet e Premier Ligës deri tani.

Ata janë -11 pikë nga Arsenali, por çfarë rreshtimi ka menduar Klop në këtë ndeshje? E rëndësishme është që të bëhemi sërish të paparashikueshëm”, tha tekniku gjerman në konferencën përpara transfertës në “Emirates”.

“Për këtë na duhen gjithashtu skema të ndryshme dhe 4-3-3 nuk ishte i vetmi sistem që ne mund të luajmë.

Qoftë 4-4-2, 4-3-3, 4-5-1, 4- 2-3-1, ne nuk duam ta bëjmë më të komplikuar, por tani ka shumë module në dispozicionin tonë dhe ne duhet të zgjedhim se cili na përshtatet për t’u përballur me kundërshtarin e ardhshëm”.

Liverpuli ka shënuar 8 gola pa pësuar në 4 përballjet me Arsenalin sezonin e shkuar, por “Topçinjtë” vijnë me 7 fitore në 8 ndeshjet e këtij sezoni dhe Klop lavdëron punën e kolegut të tij Arteta:

“Mikel ka bërë një punë shumë të mirë. Kur ti ke nevojë për kohë askush nuk dëshiron që të ta japë. Ndoshta jo të gjithë ne e meritojmë atë. Por Mikel e ka merituar.

Kam shumë respekt për të. Ata kanë shumë talent në skuadër. Martinelin e prisja të bëhej ky lojtar. Me Odegardin kam folur kur ishte 15 vjeç dhe e gjithë bota e donte përpara se të zgjidhte Realin.

Ai është bërë lojtari që të gjithë prisnin. Saka ka qenë i pabesueshëm prej ditës së parë, ndërsa Mikel e dinte se sa i mirë ishte Zhezus në rolin e numrit 9 që te Siti.

Ai e ka kthyer Xhakën në formë, ndërsa të gjithë e dinë sa i mirë ishte Partej kur luante tek Atletiko dhe tani ata kanë gjetur një mënyrë se si duan të mbrojnë. Është një skuadër e re, shumë emocionuese dhe po luan mirë”.