Mbappe dhe Neymar janë parisienë dhe do të qëndrojnë përgjithmonë te PSG

Thashethemet vazhdojnë rreth të ardhmes së dy yjeve të Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe dhe Neymar, por presidenti i klubit Nasser Al-Khelaifi është i bindur se ata do të qëndrojnë në kryeqytetin francez.

Në gjendje të mirë shpirtërore pasi rrëzoi Barcelonën nga Liga e Kampionëve, pronari i PSG-së mendon se asnjëri nga të dy yjet nuk do të largohet.

“Mbappe dhe Neymar janë parisienë dhe ata do të qëndrojnë përgjithmonë në Paris”, ka thënë fillimisht Al-Khelaifi për RMC.

Është hera e parë në një muaj që presidenti i PSG-së ka folur publikisht për yjet e tij, dhe këtë herë dukej shumë më i sigurt për fatin e tyre.

Duke folur për barazimin 1-1 në Paris, i cili rezervoi vendin e tyre në çerekfinale, Al-Khelaifi ishte i kënaqur.

“Është një nder i madh të jesh në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Unë tashmë kam harruar atë që ndodhi katër vjet më parë”.

“Do të mbetet në histori, por ne kemi luajtur dhe kemi eliminuar një ekip të shkëlqyeshëm të Barcelonës. Ne jemi në tetë të fundit”, përfundoi presidenti i PSG-së. /Telegrafi/