Bujanoc dhe Preshevë: Promovohen mundësitë për regjistrim në Shkollën e Policisë për të rinjtë nga komuniteti shqiptar
Misioni i OSBE-së në Serbi, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar, do të organizojë më 11 dhe 12 qershor në Bujanoc dhe Preshevë debate promovuese dhe informuese me qëllim nxitjen e të rinjve nga komuniteti shqiptar për t’u regjistruar në programet e trajnimit policor.
Aktiviteti do të nisë më 11 qershor në Bujanoc, ku në Hotelin “Rozafa” do të mbahen prezantime nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me profesionin e policit, kushtet e pranimit dhe mundësitë që ofron shkollimi policor. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të dëgjojnë përvoja dhe praktika të mira, si dhe të parashtrojnë pyetje drejtpërdrejt për përfaqësuesit e institucioneve kompetente.
Një aktivitet i ngjashëm do të zhvillohet edhe më 12 qershor në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës, ku të rinjtë dhe të rejat do të informohen për procedurat e konkurrimit, trajnimet policore dhe perspektivat e karrierës në Policinë e Serbisë.
Organizatorët theksojnë se qëllimi i këtyre takimeve është rritja e informimit dhe inkurajimi i pjesëmarrjes së të rinjve shqiptarë në institucionet e sigurisë, duke kontribuar në përfaqësim më të madh të komunitetit shqiptar në strukturat policore.