Më produktive është puna nga shtëpia apo nga zyra?  

Shefat shqetësohen se puna nga shtëpia nuk është po aq produktive sa të qenurit në zyrë.

Ndërsa 87% e punëtorëve mendonin se punonin aq, ose më shumë efikasitet nga shtëpia, por 80% e menaxherëve nuk ishin dakord.

Në sondazh u përfshinë 20.000 punonjës në 11 vende. Shefi ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella tha për BBC se kjo mospërputhje duhet të zgjidhej pasi vendet e punës nuk do të jenë më njësoj si para pandemisë.

“Duhet të kapërcejmë atë që ne e përshkruajmë si ‘paranojë e produktivitetit’, sepse të gjitha të dhënat që kemi tregojnë se 80% plus e individëve mendojnë se janë shumë produktivë, përveçse drejtuesit e tyre mendojnë se nuk janë produktivë”, tha Satya Nadella.

Si Nadella, ashtu edhe Ryan Roslansky, shefi i LinkedIn në pronësi të Microsoft, thanë se punëdhënësit po përballen me ndoshta ndryshimin më të madh në modelet e punës në histori.

Numri i kërkesave për punë nga shtëpia të reklamuara në LinkedIn u rrit gjatë pandemisë, por Roslansky tha se të dhënat sugjeronin se ky lloj roli mund të kishte arritur kulmin.

Ai tha për BBC se nga rreth 14 ose 15 milionë reklama pune që zakonisht publikohen në LinkedIn, rreth 2% e tyre përfshinin punë në distancë përpara pandemisë.

Disa muaj më parë, kjo ishte 20%, dhe që atëherë ka zbritur në 15% këtë muaj.

Në një kohë të mungesës akute të fuqisë punëtore, punëdhënësit duhet të punojnë më shumë për të rekrutuar, entuziazmuar dhe mbajtur stafin. Kjo përfshin edhe vetë Microsoft-in, sipas Nadella.

“70.000 njerëz iu bashkuan Microsoft-it gjatë pandemisë. Dhe tani kur mendojmë për fazën tjetër, ju duhet t’i riaktivizoni ata, t’i rekrutoni, t’i ndihmoni të krijojnë lidhje shoqërore”.

Punonjësit e Microsoft mund të punojnë nga shtëpia deri në 50% të kohës si standard. Më shumë se kaq kërkon miratimin e menaxhmentit ose duhet të kthehen në zyrë me kohë të pjesshme.

Ka pasur rezistencë të punonjësve ndaj thirrjeve së Apple për t’u kthyer në zyrë tre ditë në javë nga shtatori, ndërsa shefi i Tesla, Elon Musk u ka kërkuar që të punojnë 40 orë në javë në zyrë duke dërguar një e-mail ku shkruhej: “Nëse nuk paraqiteni, ne do të supozojmë se keni dhënë dorëheqjen”.

Një numër i paprecedentë njerëzish ndryshuan gjithashtu punën gjatë pandemisë. Në fenomenin, të cilin Microsoft e ka quajtur “riorganizimi i madh”, punëtorët e lindur pas vitit 1997 (i ashtuquajturi Gjenerata Z) kanë gati dy herë më shumë gjasa për të ndërruar punë.

“Në kulmin e ‘riorganizimit të madh’, ne pamë një rritje nga viti në vit prej 50% të anëtarëve të LinkedIn që ndryshonin punë. Gjenerata Z përfshinte 90%”, tregoi raporti.

Deri në vitin 2030, Gjenerata Z do të përbëjë rreth 30% të të gjithë fuqisë punëtore, kështu që menaxherët duhet t’i kuptojnë ato, sipas shefit të LinkedIn.