MSH jep detaje për vaksinimin e mjekëve nga Kosova në Kukës

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se e ka informuar Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë me një listë prej rreth 60 profesionistëve shëndetësor nga Kosova, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për t’u vaksinuar vullnetarisht kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, MSH’ja ka bërë me dije se lista është hartuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës, bazuar në shprehjen e gatishmërisë së Shqipërisë për të ndihmuar në vaksinimin e një numri të profesionistëve shëndetësor nga Kosova, kryesisht nga shërbimet e vijës së parë në luftën kundër COVID-19.

“Ministri Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre. Në ndërkohë, do të pranohen edhe vullnetarë të tjerë të cilët shprehin interesim për vaksinim brenda numrit të ofruar të dozave për profesionistët nga Kosova, derisa procesi të fillojë edhe në Kosovë”, thuhet në njoftim.