Muriqi ‘detyron’ Spanjën që të njohë Kosovën (foto)





Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili luan për skuadrën spanjolle të Mallorcas, së bashku me sulmuesin e Barcelonës, Robert Lewandowski, janë përzgjedhur si fytyrat kryesore të përballjes së këtyre dy ekipeve këtë të shtunë në kuadër të kampionatit spanjoll, La Liga Santander.

Prezantimi u bë në faqen zyrtare të La Ligës në “Twitter”, ajo në gjuhën spanjolle. E veçanta e këtij prezantimi është se, liga spanjolle e ka prezantuar Muriqin me flamurin e Kosovës, pavarësisht faktit se Spanja ende nuk e njeh Kosovën si shtet.

Ndryshe, Muriqi po kalon formë të mirë te Mallorca, ku ka arritur të shënojë tetë gola, e duke dhuruar tri asitime. Sulmuesi prizrenas ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2027.

Në një intervistë të gjatë me “Koha Shtesë”, në SuperSport, Muriqi rrëfeu dështimin e transferimit te Club Brugge dhe arsyen e nisjes së sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po ju shohim në formë te Mallorca, por edhe të lumtur… Faktikisht, kur në profesion ecën mirë, sigurisht që do të jesh i lumtur. Jam në Mallorca jo për qejf, por për profesionin dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Pata probleme te Lazio, ndaj jam shumë i lumtur tani. Kur njerëzit kanë besim tek unë, ndihem mirë dhe mundohem t’ua shpërblej.

Dukesh më i ambientuar me kampionatin… Prej janarit jam përshtatur shpejt. Fatmirësisht qëndruam në La Liga dhe ishte një shpërblim për mua që Mallorca kërkoi të më blinte. Kam kontrata katër-vjeçare.