Ndërtesat e larta po e fundosin New Yorkun

Qyteti i New Yorkut po fundoset pjesërisht për shkak të peshës së jashtëzakonshme të ndërtesave të tij të larta, duke përkeqësuar gjendjen me përmbytjet që mund të paraqiten nga rritja e deteve, ka zbuluar një studim i ri.

New Yorku mund të jetë qyteti që nuk fle kurrë, por është një qytet që qartazi mund të fundoset, duke rënë mesatarisht me rreth 1-2 mm çdo vit, me disa zona të qytetit që fundosen me dyfishin e këtij ritmi, shkroi Guardian.

Kjo fundosje po përkeqëson ndikimin e rritjes së nivelit të detit, i cili po përshpejtohet me rreth dyfishin e mesatares globale pasi akullnajat e botës shkrihen dhe uji i detit zgjerohet për shkak të ngrohjes globale. Uji që rrethon qytetin e New Yorkut është rritur me rreth 22 cm që nga viti 1950 dhe ngjarjet e mëdha të përmbytjeve nga stuhitë mund të jenë deri në katër herë më të shpeshta se tani deri në fund të shekullit për shkak të kombinimit të rritjes së nivelit të detit dhe uraganeve.

Studiuesit kanë thënë se rreziku me të cilin përballet New Yorku i kanoset edhe shumë qyteteve të tjera në botë ndërsa ndryshimet klimatike thellohen.

Në vitin 2012, New Yorku u godit nga Uragani Sandy, që përmbyti pjesë të qytetit dhe shkaktoi dëm të madh, përfshirë edhe shkëputje të rrymës. Më pas, në vitin 2021, Uragani Ida përmbyti zona duke shkaktuar vdekje të njerëzve. Shkencëtarët thonë se të dyja ngjarjet u përkeqësuan nga efektet e ngrohjes globale./Koha.net