Nis grumbullimi i nënshkrimeve për listën “Koalicioni Shqiptar”

Sot, më 2 tetor, ka filluar grumbullimi i nënshkrimeve për mbështetjen e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi, raporton Spektri.

Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim dhe Partia Demokratike kanë njoftuar nisjen e këtij procesi, duke ftuar qytetarët që ta shprehin përkrahjen për listën përmes nënshkrimit të tyre.

Qytetarët që dëshirojnë ta mbështesin listën mund të drejtohen në këto zyra, sipas njoftimeve të subjekteve:

  • PVD: në zyrën qendrore në Preshevë dhe në zyrën e degës në Bujanoc.
  • APN: në zyrën e Alternativës për Ndryshim.
  • PD: në zyrën e Partisë Demokratike në Bujanoc.

Shaip Kamberi, në thirrjen drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të PVD-së, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së listës së përbashkët. Visar Memeti e ka cilësuar atë si një përpjekje për bashkimin e zërit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ndërtimin e një përfaqësimi të përbashkët në Parlamentin e Serbisë.

Edhe Partia Demokratike ka ftuar të gjithë qytetarët që dëshirojnë ta përkrahin listën e përbashkët që të japin nënshkrimin e tyre në zyrën e kësaj partie në Bujanoc.

Grumbullimi i nënshkrimeve vjen pas marrëveshjes së arritur më 29 shtator në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërmjet tetë subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja: PVD, APN, PD, PDSH, LPD, LR, AL dhe UDSH.

Përmes marrëveshjes, subjektet janë zotuar për pjesëmarrje me një listë të vetme në zgjedhjet parlamentare, mbështetje të përbashkët dhe bashkërendim të veprimeve për përfaqësimin e shqiptarëve të Luginës.

Thirrja e tri subjekteve është e hapur për qytetarët që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij procesi dhe ta mbështesin me nënshkrim listën “Koalicioni Shqiptar”./Spektri