Osmani në takimin me Ramadanin bën thirrje për unifikim të faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim një delegacion nga Komuna e Bujanocit, të cilin e kryesonte Enver Ramadani – kryetar i Kuvendit Komunal, me të cilët ka biseduar për problemet me të cilat përballen banorët e Luginës së Preshevës.

Gjatë takimit presidentja Osmani ka bërë të ditur angazhimin e vazhdueshëm të Presidencës dhe të gjitha institucioneve tjera të Kosovës në adresimin e problemeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Osmani  ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur këto probleme, duke synuar ndërkombëtarizimin e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në këtë takim, presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë në Luginë, duke siguruar trajtim të menjëhershëm të të gjitha shqetësimeve të shqiptarëve në Luginë nga ana e institucioneve të Kosovës.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje për bashkëpunim e unifikim të faktorit politik shqiptar në Luginë, duke e konsideruar si mënyrën e vetme e cila siguron trajtimin e duhur të problemeve të shqiptarëve në Luginë.

Ajo po ashtu ka rikonfirmuar qëndrimin e saj dhe të gjitha institucioneve të vendit për përkrahje të vazhdueshme karshi shqiptarëve në Luginë.