Papa Françesku ka paralajmëruar se krijimi i një familjeje në Itali po bëhet shumë i vështirë dhe se atë po mund ta përballojnë vetëm të pasurit.
Derisa ka folur në një konference mbi krizën demografike në Itali, ai ka thënë se kafshët shtëpiake po zëvendësojnë fëmijët në shumë familje, gjë e cila sipas tij, nuk duhet të ndodh.
Derisa ai po fliste, në skenë ishin dhjetëra të rinj, të veshur me bluza me mbishkrimin “ne mund ta bëjmë këtë”, duke aluduar në thirrjet drejtuar qytetarëve për të pasur më shumë fëmijë.
Italia ka një nga normat më të ulëta të lindshmërisë në Bashkimin Evropian. Numri i lindjeve vitin e kaluar ka rënë nën 400 mijë, shifër që paraqet një ulje të re.
Në fjalimin e tij në Romë, Papa ka thënë se rënia e natalitetit sinjalizon një mungesë shprese për të ardhmen, me brezat e rinj sipas tij, të rënduar nga një ndjenjë pasigurie, brishtësie dhe pasigurie. “Vështirësia në gjetjen e një pune të qëndrueshme, qiratë e larta dhe pagat e pamjaftueshme janë probleme reale”, ka theksuar ai, duke paralajmëruar se kafshët shtëpiake po zëvendësojnë fëmijët në disa familje.
Papa ka treguar se një grua kishte hapur çantën e saj dhe i kishte kërkuar të bekonte “foshnjën e saj”, por kur e ka parë ka thënë se e ka kuptuar se nuk ishte një fëmijë, por një qen i vogël.
“Humba durimin dhe i thashë: ka shumë fëmijë që janë të uritur dhe ti më sjell një qen”, ka treguar Papa Françesku, i cili është duartrokitur nga turma.
Lindshmëria është duke rënë edhe në vende të tjera si Japonia, Koreja e Jugut, Porto-Riko dhe Portugalia.
Por zvogëlim i popullsisë është një shqetësim i madh për Italinë, që është vendi i tretë më i madh në eurozonë.
Vendi mund të humbasë pothuajse një të pestën e banorëve, deri në vitin 2050.
Në të njëjtën kohë, popullsia po plaket shpejt dhe numri i njëqindvjeçarëve në Itali është trefishuar gjatë 20 vjetëve të fundit. / BBC