Pesë persona dënohen me burg të përjetshëm për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara

Një gjykatë në shtetin turk ka dënuar pesë persona me burgim të përjetshëm për përfshirje në vrasjen e ambasadorit rus, Andrei Karlov në këtë vend në vitin 2016.

Të dyshuarit akuzohen se kishin lidhje me burrin e armatosur, Mevlut Mert Altintas, i cili u vra nga forcat speciale turke pak pasi qëlloi ambasadorin Karlov në një ekspozitë fotografike në kryeqytetin turk, Ankara, transmeton Telegrafi.

Sipas informacionit në dispozicion të mediave turke, personat akuzohen për zbulim të informacionit konfidencial në lidhje me ambasadorin rus, i cili mund të kishte ndihmuar sulmuesin në planifikimin e atentatit. Gjithashtu, u dha një dënim i përjetshëm për dyshimin se këta persona urdhëruan drejtpërdrejt vrasjen e ambasadorit rus, raporton euronews.

Karlov ishte 62 vjeç dhe u emërua ambasador në Turqi në vitin 2013, kur marrëdhëniet midis dy vendeve u acaruan rëndë nga lufta në Siri.

Gjatë procedurave, prokurorët turq arritën në përfundimin se një rrjet sulmuesish të lidhur me Fethullah Gulenin qëndronte pas vrasjes së ambasadorit rus. Gyleni hodhi poshtë akuzat e tilla.

Ndryshe, gjashtë të dyshuar janë liruar deri më tani, ndërsa shtatë janë dënuar për lidhje me grupe terroriste në vend. /Telegrafi/