Një ngjarje e rëndë është raportuar të premten në Tiranë, ku një 21-vjeçare, Aldorjana Loshi, police është vetëvrarë me armën e shërbimit.
E sot Policia e Shtetit, në një njoftim në Facebook thekson se është arrestuar i dashuri i saj, 28-vjeçari E.N, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas Policisë, ky shtetas dyshohet se të premten ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën ‘Todi Shkurti’, është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/Spektri/