Prizrenasi sulmohet nga ish e dashura, i shkoi në shtëpi dhe i hyri dajak

Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet, ngacmimet e sulmet. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prizren, ku një person e ka denoncuar në Polici ish të dashurën e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se këtë herë viktimë është një 22-vjeçar, i cili e ka raportuar në Polici ish të dashurën e tij, nën dyshimet se e njëjta e kishte sulmuar fizikisht, të dielën në mëngjes.

Gjithçka dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e viktimës, ku e dyshuara kishte shkuar me mëngjes dhe për motive akoma të panjohura, e ka sulmuar fizikisht para familjes së tij. Për të mos mbaruar me kaq, 30-vjeçarja dyshohet se edhe e ka kërcënuar 22-vjeçarin.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta njoftojë Policinë, ku kërkoi ndihmë dhe rrëfeu krejt çka kishte ndodhur mes tyre.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar të dyshuarën, e cila është shoqëruar më pas në stacion policor.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.