Si i përgjonte BIA qytetarët dhe kritikët e pushtetit

Autorë: Vuk Z. Cvijić dhe Bojana Anđelić / Radar
Analizë e Radar-it, botuar më 5 nëntor 2026. Përkthim në shqip: TV Spektri. Vlerësimet dhe pretendimet në tekst janë të autorëve dhe bashkëbiseduesve të cituar.

Provat që ka siguruar Radar tregojnë përmasat e mbikëqyrjes së qytetarëve të Serbisë dhe shkallën e keqpërdorimit të shërbimit sekret dhe të drejtorit të BIA-s, Vladimir Orliq. Për këtë dëshmojnë vendimet e Gjykatës së Lartë për ndërprerjen e masave të mbikëqyrjes së BIA-s ndaj studentëve, shefit të kabinetit të rektorit, kryetarit të Partisë Demokratike, përfaqësuesit të shoqatës IT Blokada, Aleksa Mijuca, dhe kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Hekurudhtarëve të Serbisë, të cilat i kemi shqyrtuar.

Tani kemi prova se BIA ka qenë policia politike e Aleksandar Vuçiqit, e cila i shërbente atij për të mbikëqyrur fshehurazi të gjithë kritikët e tij: studentë, njerëz të universitetit, drejtues partish opozitare, kryetarë sindikatash, anëtarë të kuvendeve qytetare… Radar ka shqyrtuar disa vendime të Gjykatës së Lartë në Beograd, me të cilat, pas një periudhe të gjatë të zbatimit të masave të mbikëqyrjes së fshehtë, u refuzuan propozimet për vazhdimin e tyre.

Si arsyetim për refuzimin u tha se nuk ishte mbledhur asnjë provë dhe nuk ishte vërtetuar asnjë nga dyshimet që BIA i kishte paraqitur si justifikim për vendosjen e masave. Në disa raste, masat u refuzuan që herën e parë kur BIA i kërkoi. Të gjitha këto kërkesa drejtuar Gjykatës së Lartë, të cilat rezultuan të pabazuara, i kishte nënshkruar drejtori i BIA-s, Vladimir Orliq, i cili nuk tregoi as përgjegjësinë më të vogël personale për të dhënë dorëheqje.

Deri tani, Radar ka shqyrtuar vetëm një pjesë të vogël të këtyre vendimeve gjyqësore. Publikojmë vetëm emrat e atyre me të cilët arritëm të bisedonim dhe të cilëve ua paraqitëm vendimet e gjykatës.

Nga disa burime na është konfirmuar se numri i kërkesave që BIA u ka drejtuar gjykatave në të gjithë Serbinë është jashtëzakonisht i madh dhe se shumë masa janë zbatuar pa kurrfarë autorizimi ligjor.

Jozyrtarisht, disa burime që për arsye sigurie dëshirojnë të mbeten anonime na kanë konfirmuar se numri i kërkesave të BIA-s drejtuar gjykatave në të gjithë Serbinë është jashtëzakonisht i madh, ndërsa shumë masa janë zbatuar pa asnjë autorizim ligjor.

Instalimi i programit Pegasus, që është gjetur te shumë studentë, te rektori i Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq, te aktivistë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, është i paligjshëm, ashtu si edhe instalimi i pajisjeve të përgjimit dhe të regjistrimit zanor në amfiteatrin e Fakultetit Juridik në Beograd, për të cilin raportuam të parët.

Sipas informacioneve tona, shumë studentë, profesorë të tyre, aktivistë dhe gazetarë, përfshirë edhe gazetarë të redaksisë së Radar-it, iu nënshtruan ndjekjes fizike dhe përgjimit të të gjithë komunikimit, pa miratim gjyqësor.

Pas intervistës në Radar, masa mbikëqyrjeje ndaj prokurorit

Prokurori i Prokurorisë për Krim të Organizuar, Aleksandar Barac, i ngarkuar me çështjen “Streha” (“Nadstrešnica”), është përgjuar që nga 9 prilli 2026. Këtë e konfirmon një dokument i BIA-s, i nënshkruar nga drejtori i këtij shërbimi sekret, Vladimir Orliq, të cilin e kemi shqyrtuar.

Katër ditë pas zgjedhjeve, më 29 tetor, Orliq i dërgoi një shkresë kryetarit të Gjykatës së Lartë në Beograd, Dragan Millosheviq, ku kërkonte ndërprerjen e masave të mbikëqyrjes ndaj prokurorit Barac, sepse, siç shkruante:

“Përmes angazhimit operativ për shqyrtimin e veprimtarive të Aleksandar Baracit me interes për sigurinë, kemi konstatuar se të dhënat e mbledhura nga përdorimi i deritanishëm i masave të posaçme nuk tregojnë se personi në fjalë është përfshirë në kryerjen e veprës penale të spiunazhit nga neni 315 i Kodit Penal të Republikës së Serbisë. Rrjedhimisht, nuk ekziston nevoja për vazhdimin e zbatimit të tyre ndaj këtij personi, duke pasur parasysh se kjo nuk do të sillte rezultatet e pritshme.”

Si pasojë e ligjeve të miratuara me propozim të deputetit të SNS-së, Ugljesha Mërdiq, prokurori Barac ishte larguar nga Prokuroria për Krim të Organizuar (TOK). Pas votimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë më 10 mars, ai nuk ishte më në TOK.

Intervista me prokurorin Barac, “Kronologjia e pengimit të çështjes Streha”, u botua në Radar më 9 prill, pikërisht ditën kur ndaj prokurorit u vendosën për herë të parë masat. Ato u vazhduan më 29 maj, pastaj më 19 qershor, kur Barac u kthye në TOK dhe vazhdoi punën në çështjen “Streha”. Për herë të fundit, masat u vazhduan më 7 tetor 2026.

Masat e përcaktuara ndaj prokurorit Barac urdhërojnë regjistrimin e fshehtë të të gjitha komunikimeve të tij, por edhe “mbikëqyrjen e fshehtë dhe regjistrimin e komunikimit në vende publike dhe në vende me qasje të kufizuar ose në ambiente të mbyllura”. Kjo konfirmon raportimin e Radar-it se, përmes mbikëqyrjes së disa prokurorëve të TOK-ut, në të vërtetë mbikëqyreshin të gjithë në këtë institucion.

Burimi: BIA
Burimi: BIA
Burimi: BIA
Burimi: BIA
Burimi: BIA
Burimi: BIA

Këto masa herë ishin drejtpërdrejt të paligjshme, e herë tërthorazi, duke përfshirë në kërkesat për përgjimin dhe ndjekjen e një personi numrat e telefonit të një personi tjetër dhe vendet që frekuentonte ai person. Ndonjëherë përgjoheshin të gjithë njerëzit përreth personit të synuar.

Kemi publikuar gjithashtu se BIA kishte përgjuar komunikimet e disa prokurorëve të Prokurorisë për Krim të Organizuar, pasi ata vazhduan hetimin në çështjen “Streha”. Në këtë mënyrë, praktikisht mbikëqyreshin të gjithë në atë prokurori.

Mbikëqyrja e TOK-ut është një tipar klasik i grushtit të shtetit, veçanërisht kur merret parasysh se pushteti e kishte penguar punën e kësaj prokurorie duke tërhequr grupet operative.

Aleksandar Barac Foto: Nenad Mihajlović/Radar
Aleksandar Barac Foto: Nenad Mihajlović/Radar

Nga shqyrtimi i disa vendimeve të Gjykatës së Lartë në Beograd, me të cilat u refuzua zbatimi i mëtejshëm i masave, shihet se BIA dhe drejtori i saj, Vladimir Orliq, i kërkonin ato kryesisht duke përdorur formulime shabllon:

“Për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kryen veprimtari që rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Serbisë, përmes kryerjes së veprës penale të thirrjes për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues nga neni 309 i Kodit Penal, në lidhje me veprën penale të përgatitjes së veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë nga neni 320 i Kodit Penal.”

Në raste më të rralla, BIA përmendte dyshime për spiunazh sipas nenit 315 të Kodit Penal, duke e përshkruar çdo kontakt me shtetas të huaj si të dyshimtë.

Të gjitha vendimet që refuzonin vazhdimin e masave, si edhe ato më të rralla që refuzonin zbatimin fillestar të tyre, i ka nënshkruar kryetari i Gjykatës së Lartë në Beograd, Dragan Millosheviq. Është interesante se BIA ka dërguar kërkesa edhe menjëherë para zgjedhjeve, ndërsa vendimet refuzuese janë marrë si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve.

Vetëm tri vendime nga ato që kemi shqyrtuar, që kanë të bëjnë me tre studentë, janë marrë në fund të vitit 2025. Në këto raste, kërkesat e BIA-s u refuzuan menjëherë, pa miratime paraprake për zbatimin e masave të mbikëqyrjes.

Për një student, kërkesa u pranua një ditë pas zgjedhjeve, më 26 tetor 2026, dhe gjithashtu u refuzua menjëherë një ditë më vonë. Në pjesët e vendimeve ku riprodhohet kërkesa zyrtare e BIA-s, e nënshkruar nga Orliq, përdoren terma të pazakontë për administratën, si “bllokuesit” e të ngjashëm, që i përkasin fjalorit të makinerisë propagandistike të regjimit të mundur të Vuçiqit.

Çfarë kërkonte BIA dhe çfarë thonë personat e ndjekur

Për të gjitha vendimet që kemi shqyrtuar, kemi biseduar me shefin e kabinetit të rektorit të Universitetit të Beogradit, Danilo Potpariq, kryetarin e Partisë Demokratike, Sërgjan Milivojeviq, përfaqësuesin e shoqatës qytetare IT Blokada, Aleksa Mijuca, dhe kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhtarëve të Serbisë, Radomir Popoviq. Bashkëbiseduesve tanë ua kemi paraqitur vendimet e Gjykatës së Lartë në Beograd. E përbashkëta e të gjitha rasteve është se vazhdimi i masave të mbikëqyrjes së fshehtë u refuzua pas disa muajsh zbatimi.

Sipas informacioneve tona, ndjekjes fizike dhe përgjimit të të gjithë komunikimit, pa miratim gjyqësor, iu nënshtruan shumë studentë, profesorë të tyre, aktivistë dhe gazetarë, përfshirë gazetarë të redaksisë së Radar-it.

Për Danilo Potpariqin, shefin e kabinetit të rektorit të Universitetit të Beogradit, të gjitha masat janë miratuar gjatë vitit 2026. Gjykata e Lartë në Beograd i miratoi për herë të parë më 27 janar, pastaj më 27 prill. Ato u zgjeruan më 4 qershor, më 27 korrik dhe, për herë të fundit, më 28 gusht 2026.

Me nënshkrimin e Vladimir Orliqit, BIA kërkoi vazhdim të ri më 21 tetor. Propozimi mbërriti në gjykatë më 23 tetor dhe u refuzua po atë ditë.

Si në të gjitha rastet e tjera, ishin evidentuar vendet ku personat banonin dhe punonin, automjetet që përdornin, si edhe shumë lokale që thuhej se i frekuentonin shpesh. Mbetet e paqartë nëse në të gjitha këto ambiente, përfshirë lokalet, ishin vendosur pajisje përgjimi dhe kamera.

Në kërkesën e refuzuar të BIA-s, Potpariqit i vihej për të madhe përdorimi i aplikacioneve të mbrojtura në telefon, të cilat përdoren gjerësisht nga të gjithë. Fjalitë nga kërkesa e BIA-s, të cituara në vendimin e Gjykatës së Lartë, përbëjnë shembuj të qartë të propagandës së regjimit autoritar të mundur.

Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd
Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd

Ndër të tjera shkruhet: “Danilo Potpariq i përcjell të dhëna veçanërisht të ndjeshme që lidhen me rrethanat aktuale shoqërore dhe politike, të vështruara përmes prizmit të veprimit të lëvizjes së bllokuesve dhe studentëve bllokues…”, e më pas përmendet emri i një shtetasi serb që e kishte ndihmuar haptazi lëvizjen studentore.

Për të mos lënë paqartësi, thuhet se ai “për situatën shoqërore dhe politike zhvillon konsultime me profesorë fakultetesh që veprojnë pa mëdyshje në interes të lëvizjes së bllokuesve”.

Përmenden emrat e shumë profesorëve të Universitetit të Beogradit. E gjithë kjo, për Vladimir Orliqin, përbënte rrëzim të rendit kushtetues. Për ta rënduar edhe më tej kërkesën për mbikëqyrje të fshehtë, Potpariqit i atribuohej se punonte në interes të Gjermanisë, pa paraqitur asnjë provë.

Në vendimin refuzues, të marrë pas nëntë muajsh mbikëqyrjeje të fshehtë, konstatohet se nuk ka asnjë provë se si Potpariq organizon, dakordon apo planifikon ndonjë vepër penale.

“Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, kryetari i Gjykatës së Lartë në Beograd, Dragan Millosheviq, është i mendimit se nga katër raportet e bashkëngjitura nuk rezulton që veprimet e Danilo Potpariqit të jenë në ndonjë mënyrë të drejtuara kundër sigurisë së Republikës së Serbisë”, përfundon vendimi refuzues. Ky është formulimi që përdoret në çdo vendim për ndërprerjen e masave të fshehta.

Në një bisedë për Radar, Danilo Potpariq thotë se nuk e befason fakti që njerëzit e Universitetit të Beogradit kanë qenë objekt mbikëqyrjeje, sepse universiteti ishte një nga vatrat e rezistencës më të fortë ndaj rrënimit të institucioneve dhe përpjekjeve të regjimit për të vënë nën kontroll mendimin kritik.

“Pushteti ka treguar disa herë se, me sa duket, u frikësohet më së shumti qytetarëve të arsimuar dhe institucioneve që nuk pranojnë bindjen.

Megjithatë, një gjë është të supozosh se je nën mbikëqyrje dhe tjetër gjë është të mësosh se ndaj teje, për gati një vit, janë zbatuar masa me propozim të drejtorit të BIA-s dhe me miratim të Gjykatës së Lartë në Beograd, për shkak të dyshimeve për përgatitje veprash kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë dhe për veprim të pretenduar në interes të Republikës Federale të Gjermanisë.

Këto cilësime i hedh poshtë në mënyrën më të vendosur. Nuk kam punuar kurrë në interes të ndonjë shteti të huaj dhe as kundër interesave të Serbisë. Nuk është e këndshme kur kupton se dikush të fotografon ndërsa e çon fëmijën në kopsht dhe se ndiqen takimet e bisedat e tua”, thotë Potpariq. Ai shton se në asnjë moment nuk i ka shkuar ndër mend që për këtë arsye të heqë dorë nga puna apo bindjet e veta.

Foto:Antonio Ahel/ATAImages
Foto:Antonio Ahel/ATAImages

“Nëse burimet e sigurisë janë përdorur për të ndjekur njerëz sepse kritikonin pushtetin apo mbronin autonominë e universitetit, atëherë duhet shtruar pyetja nëse BIA mbronte sigurinë e Serbisë apo interesat politike të pushtetit. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje u detyrohet të gjithë qytetarëve.

Këtë nuk e shoh të shkëputur nga fushata shumëvjeçare mediatike ndaj meje, e cila filloi që në vitin 2019, pasi mbështeta publikisht mbrojtjen e integritetit akademik në procedurën për konstatimin e plagjiaturës së disertacionit të doktoratës së Sinisha Malit”, shpjegon shefi i kabinetit të rektorit të Universitetit të Beogradit.

Ai thotë se studentët u vendosën qytetarëve të Serbisë përpara një zgjedhjeje brutalisht të thjeshtë: “Serbia apo mafia”, dhe se qytetarët zgjodhën më 25 tetor.

“Nuk kërkoj privilegj për vete. Kërkoj që organet shtetërore t’i shërbejnë ligjit dhe Republikës së Serbisë, jo pushtetit apo partisë; që universiteti të jetë i lirë; dhe që mospajtimi me pushtetin të mos trajtohet kurrë më si çështje e sigurisë shtetërore.

Nëse çmimi i mbrojtjes së këtyre parimeve ishte që të ndiqesha, fotografohesha, përgjohesha dhe diskreditohesha në media, atë çmim tashmë e kam paguar. Nga këto parime nuk kam hequr dorë dhe nuk do të heq”, porosit Potpariq.

Masat herë ishin drejtpërdrejt të paligjshme, e herë tërthorazi, duke përfshirë në kërkesat për përgjimin dhe ndjekjen e një personi numrat e telefonit të një personi tjetër dhe vendet që ai frekuentonte. Ndonjëherë përgjoheshin të gjithë njerëzit përreth personit të synuar.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sërgjan Milivojeviq, Gjykata e Lartë miratoi fillimisht masat e mbikëqyrjes së fshehtë më 30 janar 2026, më pas i vazhdoi më 24 prill dhe, për herë të fundit, më 27 korrik 2026.

BIA kërkoi vazhdim të ri më 24 tetor, një ditë para zgjedhjeve. Kërkesa mbërriti në Gjykatën e Lartë më 27 tetor, ndërsa dy ditë më vonë, më 29 tetor, u mor vendimi refuzues. Në propozimin e saj, BIA konstaton se Milivojeviq “në vazhdimësi kryen veprimtari që rrezikojnë sigurinë e Republikës së Serbisë”.

Orliq, i cili nënshkruan propozimin, sipas citimit në vendimin e Gjykatës së Lartë, i referohet diçkaje të para më shumë se 26 vjetëve. BIA pretendon se Milivojeviq, në vitet nëntëdhjetë dhe në fillim të viteve dymijë, si pjesëtar i dikurshëm i Otporit, ishte dërguar gjoja për trajnim në Segedin të Hungarisë dhe në Baltimor të SHBA-së. Sipas saj, në trajnim e kishte dërguar përfaqësia diplomatike dhe konsullore amerikane, me synimin për të rrëzuar regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

Megjithatë, nuk paraqitën asnjë provë për këtë, siç konstatoi edhe Gjykata e Lartë. BIA pretendon gjithashtu se Milivojeviq ka vazhduar të “nxisë dhe të orientojë individë me qëndrime ekstremiste, të ndezë dhe të nxisë qytetarët drejt revoltës masive, ndërsa pushtetin aktual ta paraqesë si fajtor”.

BIA thotë se për rrëzimin e rendit kushtetues Milivojeviq përdor metodat dhe njohuritë e fituara në trajnimet në Segedin e Baltimor dhe se koordinon protestat që nga fillimi i tyre në Novi Sad, në vitin 2024. Për BIA-n ishte problematike që Milivojeviq dhe Partia Demokratike kishin vënë të gjithë infrastrukturën dhe ambientet e tyre në dispozicion të lëvizjes studentore, kuvendeve qytetare dhe shoqatave të qytetarëve.

Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd
Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd

Kryetari i Partisë Demokratike, Sërgjan Milivojeviq, thotë për Radar se shërbimet e sigurisë prej 14 vjetësh janë në shërbim të mbijetesës së regjimit dhe jo të ruajtjes së sigurisë së Serbisë dhe qytetarëve. Kjo, siç vlerëson ai, është larg kuadrit ligjor dhe neutralitetit politik të përcaktuar me Kushtetutë.

“Është interesante që BIA e di numrin e shasisë së automjetit tim, por nuk e di si u gjetën pesë tonë drogë në depon e një këshilltari të SNS-së në Konjuh.

Është e tmerrshme që BIA përndjek prokurorët e Prokurorisë për Krim të Organizuar, partitë opozitare dhe gazetarët, por nuk e di se pranë Loznicës, në kompleksin turistik Sunçana Reka, ishte organizuar një kamp i fshehtë paraushtarak për stërvitje luftarake dhe taktike të shtetasve të Moldavisë dhe Rumanisë.

Për çfarë marrin rrogë këta njerëz, nëse pretendojnë se unë kam qenë në Baltimor, ndonëse nuk kam qenë kurrë në SHBA? Si e konstatuan se më 1999 dhe 2000 kam qenë në Segedin, kur më 1998 ma kishin marrë pasaportën, ndërsa nuk e dinë si u ndodhi Banjska dhe çfarë bëjnë pjesëtarët e saj në Jovanjicë?”, pyet Milivojeviq.

Ai vlerëson se kërkesa për miratimin e masave të posaçme për ndjekjen e komunikimeve dhe kontakteve të tij duket sikur e ka shkruar ndonjë Branislav Nushiq, siç thotë, pikërisht sipas kapaciteteve intelektuale të Vladimir Orliqit, i cili do të duhej të luante Aleksa Zhuniqin.

“Është thjesht e pabesueshme që radhët e një shërbimi kaq serioz të mbushen me njerëz gjysmanalfabetë e mendjelehtë, me teserë anëtarësie të SNS-së.

Disa herë, nga pjesëtarë profesionistë dhe të ndershëm të shërbimeve të sigurisë, kam marrë informacion se komunikimet dhe lëvizjet e mia ndiqen. Dy herë kam gjetur në automjet pajisje GPS për ndjekjen e lëvizjeve të mia. Gjatë ndjekjes në një autobus të transportit urban, djalit dhe vajzës që më ndiqnin u ra pajisja e komunikimit.

Me mënyrën si e ruanin Serbinë dhe regjimin, mirë që na ka mbijetuar shteti. Është koha të shpërbëhen të gjitha këto shërbime të sigurisë që janë turpëruar në këtë mënyrë”, përfundon Sërgjan Milivojeviq.

Si në të gjitha rastet e tjera, ishin evidentuar vendet ku banonin dhe punonin, automjetet që përdornin, si edhe shumë lokale që thuhej se i frekuentonin shpesh. Mbetet e paqartë nëse në të gjitha këto ambiente ishin vendosur pajisje përgjimi dhe kamera.

Për Aleksa Mijucën nga IT Blokada, Gjykata e Lartë në Beograd i miratoi për herë të parë masat e kërkuara nga BIA më 30 prill 2026 dhe i vazhdoi më 27 korrik. BIA kërkoi vazhdim të ri më 21 tetor, por kërkesa mbërriti në Gjykatën e Lartë një ditë pas zgjedhjeve, më 26 tetor. Vendimi refuzues u mor më 28 tetor.

Në arsyetimin e propozimit për vazhdimin e ndjekjes, të nënshkruar nga Vladimir Orliq, ndër të tjera thuhet se Mijuca është një nga anëtarët kryesorë të shoqatës “për mbledhjen e mjeteve financiare për veprimtaritë e bllokuesve” dhe se ndërkohë është orientuar drejt “ofrimit të mbështetjes logjistike dhe organizative për përfaqësuesit e lëvizjeve të bllokuesve”.

Theksohet posaçërisht se ai qëndron shpesh jashtë vendit… Për shkak se i kishte bërë të gjitha këto, BIA arrin në përfundimin se veprimi i tij mund të çonte në cenimin e rendit kushtetues dhe në ndërrimin e dhunshëm të pushtetit të zgjedhur ligjërisht, “me çka do të rrezikohej në masë të madhe jo vetëm siguria kombëtare, por edhe pozita strategjike e Serbisë në qarqet ndërkombëtare”…

Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd
Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd

Edhe Aleksa Mijuca, ashtu si Potpariq dhe Milivojeviq, kishte supozuar se BIA e dinte çfarë bënin dhe se me gjasë po i ndiqte dhe përgjonte pa bazë.

“Gjatë gjithë kohës kemi vepruar në përputhje me ligjin dhe statutin e shoqatës sonë. Këtë tani e konfirmon edhe vetë Gjykata e Lartë në Beograd, e cila e refuzoi si të pabazuar kërkesën e BIA-s për vazhdimin e masave të posaçme dy ditë pas zgjedhjeve.

Megjithatë, nuk mund ta përfytyronim deri ku shkonte kjo dhe çfarë goditjeje për privatësinë përbën, jo vetëm për timen, por edhe për njerëzit me të cilët punoj dhe jetoj.

Shërbimi që duhet ta mbrojë shtetin dhe rendin kushtetues ndjek, pa asnjë bazë juridike, njerëz që gjatë gjithë kohës punojnë publikisht dhe në mënyrë transparente, në përputhje me ligjin, në interes të shoqërisë dhe shtetit”, thotë Mijuca.

Ai paralajmëron se kjo nuk është mbrojtje e shtetit, por keqpërdorim i shtetit kundër qytetarëve të vet.

“Për këtë do të përgjigjen. Do të përgjigjen edhe për dëmin e pariparueshëm që i kanë shkaktuar Republikës së Serbisë dhe popullit tonë, duke keqpërdorur të gjitha burimet shtetërore në bashkëpunim me mafien”, thotë Aleksa Mijuca.

Studentët e Novi Sadit në protestë përpara ndërtesës së BIA-s në Novi Sad. Foto: Nova.rs
Studentët e Novi Sadit në protestë përpara ndërtesës së BIA-s në Novi Sad. Foto: Nova.rs

Për kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhtarëve të Serbisë, Radomir Popoviq, masat u miratuan më 28 janar 2026, u ndërprenë pjesërisht më 24 mars, pastaj u zgjeruan më 17 prill dhe u vazhduan më 28 prill dhe më 27 korrik, me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, drejtori i BIA-s, Vladimir Orliq, në propozimin për vazhdimin e masës së mbikëqyrjes, ndër të tjera thotë se Popoviq, falë ndikimit të madh në ndërmarrje dhe numrit të madh të punonjësve që mbledh në organizatën e vet sindikale, i shantazhon me greva dhe ndërprerje pune përfaqësuesit e organeve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe drejtuesit e ndërmarrjes.

Orliq përfundon më tej se në këtë mënyrë Popoviq shfaq “gatishmëri për radikalizimin e veprimtarive të tij, të cilat mund të çonin në ndryshimin e dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës së Serbisë”. Po ashtu, Orliqit, që nënshkruante propozimet, i pengonte edhe fakti se Popoviq kishte kontakte me media të lira, përkatësisht me Nova S.

Në një bisedë për Radar, Radomir Popoviq thotë se, pavarësisht denoncimit të vazhdueshëm të keqpërdorimeve në Hekurudhat e Serbisë gjatë viteve 2020 dhe 2021, si edhe të humbjeve të mëdha të shtetit e të hekurudhës në proceset gjyqësore, ku të vetmin përfitim e kishin zyrat e avokatisë, arriti të përmbushte ndonjë synim vetëm përmes protestave në rrugë.

“Me sa duket, ndryshe nuk bëhet. Në deklaratat ku tregoj dobësitë dhe lëshimet që shoh në veprimtarinë e ndërmarrjes dhe veprimet me të cilat punëdhënësi rrezikon të drejtat dhe kushtet e punës së punëtorëve, më akuzojnë se ‘përgatis rrëzimin e dhunshëm të rendit kushtetues me ndihmë nga jashtë’, dhe për këtë arsye më vendosin nën masa ndjekjeje dhe përgjimi.

Duket se, nëse e bën punën me ndershmëri dhe nuk dëshiron që mendimi i dikujt tjetër të jetë edhe mendimi yt, dhe nëse rrethohesh nga bashkëpunëtorë që para së gjithash janë njerëz të ndershëm, të drejtë, familjarë, që besojnë dhe e dinë se e vërteta dhe drejtësia në fund duhet të fitojnë gjithmonë, atëherë duhet të akuzohesh, as më pak e as më shumë, për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues!”, thotë Popoviq.

Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd
Burimi: Gjykata e Lartë në Beograd

Përmasat e keqpërdorimit të shërbimit sekret gjatë pushtetit të progresistëve do të zbulohen në të ardhmen. Por është e padyshimtë se bëhet fjalë për një vazhdimësi, sidomos që kur në krye të BIA-s emërohen në kundërshtim me ligjin kuadro të spikatura partiake, si Bratisllav Gashiq, Aleksandar Vulin dhe, së fundmi, Vladimir Orliq.

Burimi: Radar, botimi 138. Autorë: Vuk Z. Cvijić dhe Bojana Anđelić.