Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) ka publikuar rezultatet e votimit nga të gjitha 8.392 vendvotimet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, pas përsëritjes së votimit në 53 prej tyre më 1 nëntor. Sipas këtyre të dhënave, Lista Studentore ka fituar 53,01 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” 38,98 për qind.
Në zgjedhjet e 25 tetorit morën pjesë 4.444.310 votues, ose 68,89 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Gjithsej garuan 18 lista zgjedhore, prej të cilave nëntë me statusin e listave të pakicave kombëtare.
Koalicioni Shqiptar me 0,62 për qind të votave
Sipas rezultateve të publikuara, Koalicioni Shqiptar ka marrë 0,62 për qind të votave në nivel republikan. Lista e Ivica Daçiqit ka marrë 2,13 për qind, Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës 0,80 për qind, ndërsa lista e Usame Zukorliqit 0,28 për qind.
Për listat e pakicave kombëtare zbatohen rregulla të veçanta për pjesëmarrjen në ndarjen e mandateve: ato mund të marrin pjesë edhe pa arritur pragun e përgjithshëm prej tre për qind. Numri përfundimtar i mandateve përcaktohet në procedurën zyrtare të ndarjes së tyre.
Çfarë ndodh pas publikimit të rezultateve?
Komisionet lokale zgjedhore kanë 96 orë nga mbyllja e vendvotimeve për të miratuar raportet përmbledhëse. Pasi RIK t’i marrë të gjitha këto raporte, ka edhe 96 orë për të miratuar dhe publikuar raportin e përgjithshëm për rezultatet e zgjedhjeve.
Pas publikimit të raportit të përgjithshëm, RIK ka afat dhjetë ditë për t’ua ndarë mandatet kandidatëve, sipas renditjes në listat zgjedhore dhe numrit të mandateve që i takojnë secilës listë.
Kuvendi i ri deri më 4 dhjetor
Seanca e parë e përbërjes së re të Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Sipas afateve të raportuara, data 4 dhjetor është afati i fundit për konstituimin e Kuvendit.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar kur konfirmohen mandatet e të paktën dy të tretave të deputetëve. Me këtë përfundon mandati i përbërjes së mëparshme parlamentare.
90 ditë për formimin e Qeverisë
Pas konstituimit të Kuvendit fillon afati prej 90 ditësh për zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë. Kjo do të thotë se publikimi i rezultateve nga të gjitha vendvotimet nuk nënkupton formim të menjëhershëm të institucioneve të reja.
Votimi u përsërit më 1 nëntor në 53 vendvotime: në 31 prej tyre rezultatet nuk mund të përcaktoheshin, ndërsa në 22 të tjera votimi ishte anuluar. Të drejtë vote në këto vendvotime kishin 24.438 qytetarë.
Burimi: RIK, NIN/Tanjug. Përgatiti: TV Spektri.